Beqja: Jam korrekt me Kushtetutën

14/10/2010 21:35

Deputeti socialist, Ilir Beqja ka folur në “Top Story” në lidhje me akuzat e bëra nga maxhoranca, sipas së cilës, kompania e deputetit ka përfituar fonde publike gjatë periudhës që ai ka qenë deputet.

“Unë bashkë me një mikun tim që prej 9 vjetësh kemi një shoqëri tregtare që punon në fushën e informatikës. Që nga viti 2001 unë kam investuar dijet dhe shkollimin tim në këtë kompani. Është krijuar jashtë kontekstit tim politik dhe e bazuar në formimin tim universitar. Kjo kompani ka bërë edhe dy punë për bashkinë e Durrësit për informatizimin e bashkisë. Kompania jonë ka konkuruar dhe ka fituar tenderin e pare para se të isha kandidat dhe tenderi i dytë eshte bërë në tetorin e vitit 2009. Ndërkohë, para se të marr pjesë në këtë garë jam këshilluar me juristët dhe vlerësimi i tyre ishte se duke mos ushtruar detyrën e deputetit isha korrekt me Kushtetutën”, shprehet Beqja.

Sipas deputetit të majtë, në 1 mars 2010, pak ditë pas betimit, Kuvendi ka kërkuar që të deklarojë interesat e tij private.

“Që nga 26 shkurti, shoqëria ku unë jam ortak nuk ka marrë pjesë në asnjë tender të financuar nga fondet publike. Kjo është historia e asaj që sot kërkohet që quhet cështja “Beqja”. Kompania ka një kontratë të lidhur në 9 dhjetor 2009, ndërkohë që gjatë zbatimit të kontratës gjatë shkurtit është bërë një pagesë nga bashkia e Durresit edhe pse puna mbaroi në janar, ndërsa pagesa e dytë është bërë në muajin maj. Kontratat që kompania ka pasur me entet publike, mund të vazhdojë të marrë fonde edhe sot sepse kontratat janë afatgjata. Edhe në dokumentin e saj, maxhoranca provoi që për punë të kryera që në maj 2009 ka pagesa ende të pakryera sepse këto janë procedurat e lëvrimit të fondeve publike”, shtoi ai.  

Në vijim, Beqja nënvizoi se, “maxhoranca po sajon raste për të akuzuar PS-në, ashtu sic bëri me një kolegen e tij dhe deputetin Sajmir Tahiri”.

Top Channel