Ndonëse kalvari i kërkesave të studentëve të Fakultetit të Mjekësisë deri më tani duket ende i pashpresë, zgjidhja e vetme që u mbetet të rinjve është greva e urisë.
Të paktën kështu pohon Taulant Muka, student në vitin e pestë të Fakultetit të Mjekësisë, njëkohësisht kryetar i lëvizjes studentore në këtë institucion.
Si përfaqësues i studentëve të këtij fakulteti, ai shprehet se studentët janë të indinjuar nga përgjigjet që kanë dhënë deri më tani përgjegjësit e një situate të papërgjegjshme të krijuar prej vitesh në Fakultetin e Mjekësisë.
“Jo më larg se dje morëm një kërkesë zyrtare nga përfaqësuesit kryesorë të Ministrisë së Arsimit për një takim, ku do të diskutohej mbi kërkesat dhe pakënaqësitë që kanë studentët për sistemin aktual të zhvillimit të leksioneve në Fakultetin e Mjekësisë. Fill pas këtij propozimi i kërkuam ministrit të Arsimit që takimi të zhvillohej me dyer të hapura, pra në praninë e mediave, por ai nuk pranoi. Për pasojë ne e refuzuam takimin”, sqaroi Muka.
Sipas tij, zhvillimi i një takimi ku do të vendoset fati i të gjithë studentëve nuk ka arsye pse të zhvillohet në mënyrë të fshehtë, aq më tepër që tashmë ky rast është kthyer në një problem shqetësues.
Top Channel