Referencat në dogana, Shqiperia përplaset me Kosovën

10/10/2010 15:00

Çmimet e referencës në dogana, aq shumë të kundërshtuara nga biznesi dhe ndërkombëtarët, kanë zhytur në ngërç marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës duke çelur ndoshta të parin konflikt mes Tiranës dhe Prishtinës zyrtare.

“Na vendosin çmime që shkojnë deri në 300 përqind të vlerës së mallit”, deklaron Safet Gërxhalliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.

Kosova kërcënon se do të ankohet zyrtarisht kundër Shqipërisë në sekretariatin e CEFTA-ss, bordit që mbikqyr marrëveshjen e përbashkët të tregtisë së lirë në rajon.

“Dua të besoj se do gjendet një zgjidhje në të kundërt do jemi të detyruar të kërkojmë ndërhyrjen e palëve të treta”, shton më tej zoti Gërxhalliu.

Gërxhalliu thotë se Kosova i ka bërë të gjitha përpjekjet për ta zgjidhur këtë ngërç, por pa rezultat. Madje pala kosovare hedh dyshime se Shqipëria po bën proteksionizëm për të favorizuar grupe të caktuara.

”Kemi takuar këtë, kemi takuar atë. Nga kjo situatë përfitojnë vetëm grupe të caktuara”, vazhdon Gërxhalliu.

Sipas Gërxhalliut marrëdheniet tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës prej vitesh janë në krizë.

Kosova po pret mbledhjen e ardhshme të sekretariatit të CEFTA-s që do të zhvillohet së shpejti në Hungari. Nëse deri atëherë kriza nuk do të jetë zgjidhur, atëherë për herë të parë Kosova dhe Shqipëria do të jenë zyrtarisht në një konflikt zyrtar, ku do kërkohet ndërhyrja e ndërkombëtarëve për t’u zgjidhur.

Top Channel