Dje në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” është bërë prova e parë e lidhjes së telemjekësisë.
Komunikimi është bërë mes drejtuesve të QSUT-së, mjekëve dhe ministrit të Shëndetësisë, i cili ndodhej në qytetin e Shkodrës.
Gjatë fjalës së tij, drejtori i QSUT-së, Saimir Ivziku, e ka cilësuar këtë investim si shumë të rëndësishëm, për trajtimin e rasteve të rënda në QSUT, por edhe ofrimin e ndihmës për mjekët e spitaleve të rretheve.
“Është një kënaqësi e veçantë që jam sot këtu në përurimin e kësaj aparature, e cila po na lidh sot me qytetin e Shkodrës, i cili është duke kaluar një situatë të vështirë. Me anë të telemjekësisë, ne tashmë do të jemi më afër, për të ofruar ndihmë mjekësore edhe gjatë kësaj periudhe gatishmërie”, ka pohuar drejtori i QSUT-së, Saimir Ivziku.
Ndërkohë që nga ana tjetër ministri i Shëndetësisë e ka cilësuar lidhjen e mjekëve mes telemjekësisë si një nga sukseset me të mëdha në fushën e shërbimit shëndetësor gjatë këtyre viteve.
“Ndihma që kolegët do të marrin përmes njëri-tjetrit për trajtimin e rasteve të rënda është, pikërisht për përcaktimin dhe diagnostifikimin e sëmundjeve të ndryshme të vendit. Ky shërbim tashmë është në 6 qytete të vendit, i cili do të mundësojë komunikim si jashtë ashtu edhe jashtë Shqipërisë”, ka nënvizuar Vasili.
Sipas tij, ky shërbim do të sjellë heqjen e transportit të panevojshëm të pacientëve drejt Tiranës. Po kështu, do të ndihmojë edhe për konsultat mes mjekëve të Shkodrës dhe kolegëve dhe specialistëve të QSUT-së.
Top Channel