OSBE: PS-PD të nisin ndryshimet në kod

09/10/2010 08:15

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka bërë thirrje dje për nisjen e punës mbi përgatitjen e zgjedhjeve lokale të majit 2011.

Kreu i ri i saj, ambasadori Eugen Wollfarth, ka zhvilluar në këtë kuadër një takim me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, ku ka nënvizuar nevojën për angazhimin e partive politike në këtë drejtim.

“Është thelbësore që përgatitjet administrative të nevojshme për zgjedhjet vendore të 2011-s të fillojnë sa më shpejt. Ato duhet të jenë në përputhje me rekomandimet më të fundit të OSBE/ODIHR-it. Prezenca e OSBE-së mbetet e gatshme për të dhënë ekspertizën teknike të nevojshme në rrethana të tilla”, thuhet në deklaratën e shpërndarë dje vetëm nga Prezenca e OSBE-së.

Gjëja e parë që buron nga ky mesazh është nevoja për hartimin e ndryshimeve të reja në Kodin Zgjedhor, i cili kontestohet prej disa partive edhe në përmbajtjen e tij.

Sidomos për sa i përket sistemit, por edhe procesit të administrimit elektoral, ligji në fuqi ka prodhuar pakënaqësi, të cilat në një mënyrë ose në një tjetër janë vënë në dukje edhe nga raporti përfundimtar i OSBE-së në zgjedhjet e 28 qershorit 2009.

Si argument thelbësor opozita ka përdorur pikërisht kritikën e bërë në raport lidhur me numërimin e votave, që citohet se “ka qenë i keq ose shumë i keq në 1/3 e qendrave të votimit”.

Top Channel