Rama: Vendi ka nevojë për një qeveri të re

08/10/2010 13:05

Kreu socialist Edi Rama përshendeti edhe një herë miratimin e pr/rezolutës së PE-së për të hequr vizat me të gjitha vendet e Shengenit dhe shtoi se selia rozë nuk i është kundërvënë asnjëherë këtij procesi.

“Kemi folur për kërcënim të procesit të integrimit për shkak të mungesës së një demokracie funksionale që mund të ndikonte edhe në liberalizimin e vizave. Kemi bërë përpjekjet e mundshme për të bërë presionim politik në të gjitha adresat e Komisionit Europian për këtë cështje. Jam shumë i lumtur që kjo gjë u realizua”, theksoi Rama.

Kreu socialist komentoi edhe akuzat në drejtim të deputetëve dhe ministrave të qeverisë, duke theksuar se kjo përpjekje synon të vendosë në sytë e publikut gjithcka ka ndodhur me qeverisjen. “Asnjëherë nuk kemi shkuar përtej provave dhe fakteve. Në këtë proces transparence ne duam t’i shërbejmë domosdoshmërisë për të pasur një qeverisje me te përgjegjshme. Transparenca është e domosdoshme si cdo liri dhe e drejte. Sa më shumë koha kalon me liri dhe të drejta të cunguara aq më shumë është koha për të luftuar për këto të drejta”, vijoi kryesocialisti.

Në vijim ai tregoi edhe një herë bindjen se votat e 28 qershorit duhet të bëhen transparente për të vendosur një themel të ri në procesin zgjedhor. “Shqipërisë i duhet një kapitull i ri me një qeveri të re dhe me një model të ri qeverisës. Kur ligjet janë gjithmonë e më shumë letra që nuk gjejne zbatim, ne po perpiqemi të gjejmë shembuj që janë në zbatim të ligjit dhe kërkesa për transparencë është një shënjë e vullnetit për të zbatuar ligjin. Ajo që ndodhi në zgjedhje ndodhi për shkak të moszbatimit të ligjit”, tha gjithashtu Rama.

 

Top Channel