Berisha feston heqjen e vizave në Krujë

08/10/2010 19:05

Inaugurimi nga kryeministri Sali Berisha i një shkolle 9 vjecare në Krujë, një ditë pas vendimit të Parlamentit Europian për liberalizimin e vizave, nuk ishte rastësor.

Ai zgjodhi Krujën për të përshëndetur shqiptarët për vendimin e heqjes së vizave, duke e konsideruar Krujën si simbolin e shqiptarëve për liri dhe dinjitet.

“Kruja, kryeqyteti historik i shqiptarëve, luftërat e përpjekjet e Skënderbeut, simbolizojnë e përfaqësojnë identitetin europian shekullor të kombit shqiptar. Votimi i djeshëm përbën arritjen më të madhe në historinë tonë kombëtare, që nga kohët e Skënderbeut gjer më sot, për t’u bashkuar me Europën. Vendimi i djeshëm është nderimi më i madh për lumenjtë e djersës e të sakrificave që u derdh këto 20 vite, për të ndërtuar Shqipërinë tjetër, Shqipërinë e NATO-s, Shqipërinë europiane, Shqipërinë pa viza. Votimi i djeshëm është vlerësimi më i madh i të gjitha reformave të qeverisë shqiptare”, ka deklaruar Berisha.

Kryeministri deklaroi se qeveria e tij do të vazhdojë të punojë për interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë.

“Garantoj çdo shqiptar, pavarësisht nga bindjet e tij politike, se axhenda e kësaj qeverie ka qenë dhe do të jetë vizat dhe heqja e tyre, axhenda e kësaj qeverie ka qenë dhe do mbeten rrugët e reja, rrogat dhe pensionet, punësimi juaj. Unë kam bindjen më të thellë se me asgjë dhe askurrkush nuk do të mund të errësojë këtë axhendë, këtë përpjekje që është interesi më jetik i juaji, interesi më jetik i fëmijëve tuaj, interesi më jetik i vendit tonë”, është shprehur Berisha.

Sipas kryeministrit, opozita po përpiqet të errësojë këto arritje të vendit, duke patur si qëllim që me shpifje të përditshme të arrijë pushtetin.

“Le tu themi nga kjo platformë se kanë ikur kohërat e etërve tuaj, kanë ikur kohërat kur ju mashtronit qytetarët e shtypur. Shqiptarët e lirë i frymëzon liria. Shqiptarët e lirë janë të vendosur të ecin të sigurt me qeverinë e integrimit, të ecin të vendosur drejt horizonteve të reja, në ndërtimin e Shqipërisë europiane”, ka shtuar Berisha.

Top Channel