Hapen portat e hidrocentraleve

06/10/2010 15:10

Mjaftoi vetëm një natë reshjesh për të rikthyer sërish alarmin në Kaskadën e Drinit. (UPDATE)

Ministria e Energjetikës, lëshoi në orët e para të mërkurës një njoftim urgjent mbi gjendjen në hidrocentrale, ku lajmëroi se tashmë kanë filluar shkarkimet përmes portave të emergjencës.

Prurjet në Fierzë në mesditë ishin 620 metër kub në sekondë, ndërkohë që niveli i liqenit është gati 285.2 metër. Në hidrocentralin e Komanit, prurjet janë rreth 640 metër kub në sekondë dhe niveli i ujit ka arritur gati pikën maksimale prej 174.3 metër vetëm 70 centimetra larg pikës kritike. Në Vaun e Dejës situata është edhe më shqetësuese. Prurjet në këtë hidrocentral janë 1000 metër kub në sekondë, ndërkohë që niveli i ujit është vetëm 30 centimetër poshtë pikës kritike.

Në këtë hidrocentral që është edhe i fundit i kaskadës janë hapur portat e sigurisë dhe po shkarkohet 800 metër kub ujë në sekondë, sipas të dhënave të Ministrisë së Energjetikës. Ndërkohë ministri i Ekonomisë Ilir Meta, i cili ka bërë një vizitë në zonat e rrezikuara nga përmbytjet deklaroi se do të shihet mundësia për të nisur sërish eksportet e energjisë, për të mbajtur nën kontroll ujin në kaskadën e Drinit.

Edhe pse prurjet atuale në kasakë janë mbi dy herë më të ulëta se ato të janarit, kur vendi u përball me përmbytje masive, sërish situata në kaskadë po parlajmëron rrezik. Për shkak të situatës së mirë hidrike gjatë këtij viti uji në liqen ndodhet  në nivele të larta, si ato të fundit të vitit të kaluar dhe do të mjaftonin disa ditë reshjesh për të rikthyer sërish problemet në kaskadë.  

Top Channel