Dështimi i gjykatës, SHBA: Jemi të zhgënjyer

06/10/2010 20:00

Ambasada amerikane në Shqipëri, përmes një deklarate, ka shprehur zhgënjimin e saj për dështimin në miratimin e ligjit mbi Gjykatat Administrative më 30 shtator të këtij viti. (UPDATE)

Në deklaratë thuhet se, ligji për gjykatat administrative ka qenë i nevojshëm për uljen e korrupsionit, për të përmirësuar transparencën në sistemin gjyqësor, për të përforcuar sundimin e ligjit, për të rritur besimin e qytetarëve ndaj institucioneve shtetërore, si dhe për afrimin e mëtejshëm të sistemit gjyqësor shqiptar me standartet e kërkuara për integrimin në BE.

Drafti për këtë ligj ka pasur edhe mbështetjen e partive politike dhe të biznesit. Mos miratimi i këtij ligji ka bërë që Shqipëria të humbasë rreth 16 milionë dollarë, fond i përcaktuar në marrëveshjen e Sfidës së Mijëvjecarit, një pjese e te cilit ishte e destinuar për gjykatën administrative.

Në deklaratë citohet gjithashtu që ky fakt do të ndikojë edhe në financimet e SHBA-ve në të ardhmen.

“Ne shprehim mirënjohjen tonë për masat e marra nga shumica parlamentare për miratimin e këtij ligji, ndërsa është për të ardhur keq që opozita zgjodhi të mos e votojë atë”, thuhet në deklaratë.

Rreth një javë më parë në Parlament u diskutua projektligji për gjykatat administrative.

Miratimi i tij kërkonte votat e maxhorancës dhe opozitës, të cilët u larguan nga salla duke bërë që miratimi i këtij ligji të dështojë.

Top Channel