Gjirokastër, socialistët ndahen për Tavon

04/10/2010 22:45

Largimi i Vangjel Tavos nga PS, i ka rritur tensionet në degën lokale të Gjirokastrës. Strukturat e partise, por edhe votuesit dhe mbështetësit e tij e shikojnë në kendvështrime të ndryshme vendimin e Tavos. (UPDATE)

Përkrahësit e tij nëpërmjet një deklarate i konsiderojnë spekulime dhe të pavërteta aludimet për bashkimin e tij me LSI-në, që duket se u përforcuan pas prononcimeve të drejtuesve të saj që thanë se e mirepresin atë në grupin e tyre parlamentar.

“Vendimi i tij nuk ka lidhje me asnjë parti të koalicionit qeveritar, por shpreh shqetësimin mbi situatën e brendshme në PS në rrethin e Gjirokastrës”, thuhet në deklaratën e firmosur nga kryetarët e PS të komunave të ndryshme në këtë rreth.

“Me deklaratën e tij z. Tavo jep alarmin për të zgjidhur disa çështje parimore”, thuhet ndër të tjera në letër, ku nënvizohet se “deklarata e Vangjel Tavos nuk është një vendim individual, por shprehje e vullnetit tonë”.

Disa anëtarë të strukturave të PS thonë se zvarritja e zgjedhjeve të degës së tyre, konfliktet e nisura që prej zgjedhjeve parlamentare dhe të tjera debate, duket se u bënë shkak për këtë dorëheqje.

Kryetari lokal i PS Florian Hysi tha për Top Channël jashtë kamerave se ende nuk ka asnjë qëndrim lidhur me çështjen. Gjithçka do të diskutohet pas mbledhjes së asamblesë së partisë gjatë ditëve në vijim. Ndërkaq anëtarë të thjeshtë të PS i kërkojnë z. Tavo të rikthehet në PS.

Top Channel