Mbarojnë librezat e shëndetit

30/09/2010 08:40

Në Fier nuk ka libreza shëndeti. Prej tri javësh kjo gjendje ka krijuar shqetësim te pacientët, të cilët në shumë raste vijnë edhe nga zona të thella të Fierit dhe Mallakastrës.

Qindra njerëz, të gjithë të sëmurë, kërkojnë një librezë pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimit e Kujdesit Parësor Fier, por për çdo ditë kthehen bosh duke marrë përgjigjen se ende nuk kanë ardhur.

Mungesën e librave të shëndetit pranë Institutit të Drejtorisë Rajonale të Sigurimit e Kujdesit Parësor Fier e pranojnë edhe specialistët që plotësojnë librezat.

Po ashtu mungesa e këtij dokumenti të rëndësishëm pranohet edhe në një njoftim, të afishuar në derën kryesore të ISKSH-së.

Në lajmërimin e shkruar me shkrim dore që qëndron poshtë tabelës së institucionit shpjegohet qartë se nuk ka libreza shëndetësore si dhe nuk mund të bëhet rinovimi i tyre.

Sportelet e përgatitjes së librezës kanë qenë të mbushura me një fluks të madh pacientësh.

Mbi 80 qytetarë zënë radhët që në orët e para të mëngjesit, por përsëri nuk mbarojnë punë.

Në dispozicion është vetëm një sportel dhe një sipërfaqe shumë e vogël. Pacientët në radhë ngjishen brenda hapësirës së vogël të sportelit dhe arrijnë me radhën e tyre deri në katin e dytë të godinës.

Fatmira, një prej pacienteve që qëndron në radhë tregon se i kanë mbaruar fletët e librezës 6 javë më parë. Ka kërkuar një tjetër librezë, por ka mundur të marrë përgjigjen se nuk ka pranë magazinës përkatëse.

Për këtë kategori pacientësh që e kanë librezë brenda afatit, por u kanë mbaruar fletët e saj, specialistët e kujdesit shëndetësor kanë dhënë një alternativë zgjidhjeje: Fleta “borxh” nga librezat e të afërmeve të familjes. “Kjo është një tjetër sorollatje.

Qëndrova katër ditë në pritje dhe tani më duhet të kërkoj fletë te familjarët. Abuzojnë me ne”, ka thënë Ismeti, një pacient. Specialistët e institucionit nga brenda sportelit thonë:

“Ne kemi rreth tri javë që kemi bërë kërkesë në institucionin përkatës, por deri më sot ato nuk kanë ardhur. Ne sot kryejmë veprime vetëm shtyrje librezash dhe asgjë më shumë”.

Top Channel