PS, 24 orë afat mazhorancës

29/09/2010 19:45

Partia Socialiste do t’i japë shumicës 24 orë kohë për të reflektuar për paketën e nismave të bëra publike nga kreu i grupit parlamentar Gramoz Ruci.

Socialistët nuk do të votojnë ligjin për gjykatën administrative në Kuvendin e Shqipërisë nëse më parë nuk do të marrin OK e mazhorancës për kërkesën e tyre mbi ngritjen e komisionit hetimor për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit.

Ky vendim i PS ka maturuar pas diskutimeve në mbledhjen e grupit parlamentar dhe kryesisë së partisë, ku është vendosur mos tërheqja në qëndrimin e bërë publik nga zoti Ruci.

Në krye të paketës së PS qëndron kërkesa për hetimin e zgjedhjeve me ngritjen e komisionit hetimor me shumicë dhe drejtim të opozitës dhe mandat të pakushtëzuar për të hetuar dokumentacionin e ndodhur në kutitë e materialeve zgjedhore.

Si pjesë të kësaj pakete, socialistët ofrojnë angazhimin e plotë të tyre edhe për një sërë pikash të tjera, ndër të cilat kryerjen e një reforme elektorale të bazuar në raportin e OSBE/ODHIR dhe nga përfundimet që do të nxjerrë komisioni hetimor.

Gjithashtu, kryerjen e një reforme kushtetuese ligjore dhe institucionale që synon forcimin e mëtejshëm në sistemin e drejtësisë.

Top Channel