Kasat, shteti financon privatët?!

29/09/2010 19:50

E vënë nën presion nga kundërshtimet e tregtarëve per cmimet e larta të kasave si dhe nga akuzat për proces të korruptuar, qeveria kishte vetëm një mundësi zgjedhjeje. Të liberalizonte tregun.

Por nuk zgjodhi këtë alternativë, por një metodë alla shqiptare, sic edhe zoti Bode, ministër i Financave e konsideroi kur u pyet nga Top Channel nëse duhej subvencionuar cmimi.

Por zoti Bode e dha këtë përgjigje përpara se të fliste kryeministri Berisha, i cili vendosi që pagesa për kasat do t’i zbriten biznesit nga detyrimet e tij vjetore.

Kjo skemë e qeverisë, që në pamje të parë duket si ndihme per biznesin, nuk është gjë tjetër vecse një manovër financiare për t’i mbajtur të paprekura të ardhurat e dy kompanive që shesin aktualisht kasat.

Kjo, pasi paratë e kompensimit do t’i mungojnë buxhetit dhe do të shkojnë si cmim shitjeje në buxhetin e dy komponive. Një formë subvencioni indirekt që favorizon në mënyrë klienteliste vetëm dy biznese.

Nga ana tjetër, edhe pse kostoja totale që do të paguajë buxheti mbetet ende e paqartë, qeveria po përcjell sërish në publik mesazhin e një shteti të padrejtë dhe pabarabartë me të gjithë, cka ngre edhe disa pikëpyetje të tjera.

Nëse cmimi i kasave, ashtu sikurse pretendon Ministria e Financave, është real dhe i paspekuluar, pse duhet që kostoja e tyre të paguhet nga buxheti?

Pse të njëtat fonde të mos përdoreshin për të ndihmuar më shumë shtresat në nevojë, apo për të rritur investimet e rëna këtë vit në nivelet më të ulëta?

Më keq akoma nëse vërtetohet, sikundër akuzon opozita, se cmimi i kasave përmban brenda kosto korrupsioni, atëherë skema e qeverisë është edhe më e rëndë sepse përdor paratë e taksave për të paguar faturën e korrupsionit që vjen nga korridoret e zyrtarëve.

Në të dyja rastet, skema subvencionuese e propozuar favorizon bizneset e kasave, ose xhepat e ndokujt pranë pushtetit.

Liberalizimi i tregut është e vetmja mënyrë për të certifikuar procesin e vendosjes së kasave si të drejtë dhe të barabartë për të gjithë.

Top Channel