“Njeriu me shenjë”

29/09/2010 18:55

Servet Kasollja, një i ri 29 vjecar, për shumëkënd mund të duket ndryshe, ndonëse vetë i riu vehten s’e ka njohur kurrë të tillë.

Ka ardhur në jetë krejtësisht normal në gjirin e një familjeje të zakonshme nga rrethi i Durrësit. Por një pakujdesi e të afërmve në muajt e parë të jetës, Servetit i kushtoi shumë. Fytyra e tij ndryshoi përgjithmonë.

“Aksidenti ka ndodhur në fëmijëri. Jam rritur më këtë nuk më bën përshtypje. Me shoqërinë i’a kaloj mirë. Kam një rreth shoqëror të madh. Mes miqsh ndihem mirë, po ashtu edhe ata me mua”, shprehet ai. Djaloshi nuk kërkon t’i njohë vetes kufizime në jetë për shkak një aksidenti mbi zjarr që ka lënë dukshëm gjurmë mbi të, madje nuk pranon kurrë ta mëshirojnë.

Është një njeri që shenjën dalluese në pamjen e tij, mundohet ta injorojë me ç’të mundet. “Të tjerët s’më kanë bërë të ndihem keq. Ose mesa kam kuptuar unë të paktën. E kemi zgjedhur miqësinë sipas dëshirës. Më thuaj me kë rri të të them si je”, shton ai. Serveti nuk do ta targetojë veten ndryshe, por jashtë vullnetit të tij kupton se janë të tjerët ata që bëjnë dallimin. Dhe kjo e bën atë, të druajtur dhe të mbyllur në vetvete, si një Kuazimodo tragjik i kohëve ku jetojmë. “Shqipëria është shoqëri paragjykuese. Tek pjesa dërrmuese ekziston akoma ky mëntalitet”, pohon Serveti.  

Megjithë vështirësitë që i ka sjellë fati i krijuar që në moshë të vogël, djaloshi s’ka rreshtur kurrë nga përpjekjet për të pasur një jetë si të tjerët. Sot me nostalgji, na tregon për lidhjen e tij me Mondën, një histori që shumë shpejt përfundoi në martesë. “Njohja është interesante. Më ka njohur ajo mua, thjesht rastësisht. Lidhja shkoi me sukses. U martova në vitin 2004. Kam një djalë, është një mrekulli”, vijon Serveti.

Ai s’e ka joshur kurrë vajzën e jetës së tij me taktikat e zakonshme djaloshare. Kufizimin fizik ai e ka kthyer në një forcë të brenshme, të cilën e konsideron armën më të fortë të tijën. Nëse në shprehjen e tij vështirë mund të lexohen emocionet, ai i ka materializuar ato diku tjetër. Ka gati 15 vjet që i riu ka guxuar t’i shkruajë ato që nuk i shpreh dot botës dhe sot ka një mori dorëshkrimesh e madje dy libra të botuar. “Pasioni lindi vitin e dytë gjimnaz. Pastaj u futa duke lexuar, duke zgjeruar bagazhin. Poezinë e parë e kam bërë në vitin ’94 kur u ndamë me shoqërinë në shkollë”, deklaron djali me shenje.

Me ambicien për të lënë një gjurmë në jetën e tij, Serveti pretendon të zerë vend në fushën e letrave. “Kam shkruar të gjitha zhanret. Më shumë shkruaj për filozofinë e jetës. Poezi kam botuar, por roman jo. Në të ardhmen dua të botoj një roman. E kam shkruar një e kam gati”, nenvizon Serveti. Shumëkush në vendin e këtij të riu do ta kishte ndoshta të pamundur t’i imponohej kaq hapur botës.

Por Serveti ka kurajon për t’u shfaqur lirisht para saj e madje ta shpërfillë kur do atë që sillet rrotull tij. Të shkruarit është pasioni më i madh për këtë njeri që në epokën e dukjes, imazhit dhe figurës, ka vendosur t’i shfaqë botës atë që të tjerët e fshehin botën e tij shpirtërore. “Aktualisht punoj ne Athinë. Jo në profilin tim, por kam gjetur veten nga ana ekonomike. Për momentin jetoj në Athinë, i përkushtohem dhe familjes, por do të doja të shkruaja më shumë”, pohon personazhi jone.

FOTO GALERI
2/3

Top Channel