Libra për nxënësit në Greqi

25/09/2010 20:20

Pas apelit të këshillit pedagogjik të mësuesve shqiptarë në Greqi, kanë reaguar pjestarë të shoqërisë civilë, të cilët kanë dhuruar mijëra libra për këtë komunitet.

Kryetari i këtij këshilli Jovan Mëhilli, ka rikërkuar edhe njëherë përkrahjen e qeverisë shqiptare për këtë komunitet shqiptar që jeton në Greqi, si dhe mundësinë për të paguar në të ardhmen qindra mësues që punojnë prej disa vitesh në mënyrë vullnetare.

“Të zgjidhet sa më parë mundësia për të paguar mësuesit dhe mësidhënësit në Greqi. Ne jemi për integrim dhe punojmë për ta realizuar këtë. Ne nuk mund të lejojmë një asimilim që është i rrezikshëm”, deklaroi Mëhilli.

Një nga kontribuesit për blerjen e librave është edhe Jetmir Salaj, i cili ka kontribuar për blerjen e mijëra testeve shkollore për fëmijët që jetojnë në Greqi.

“Unë kam kënaqësinë që të ofroj 1 mijë abetare dhe 500 libra të gjuhës shqipe të vitit të parë, të dytë dhe të tretë, në mënyrë që shkollat në shqip të mos mbyllen”, është shprehur Salaj.

Kohë më parë Ministria e Arsimit garantoi se në fillim të tetorit të gjithë fëmijët shqiptarë në diasporë do të kenë në duar libra shkollorë, të hartuar në bazë të programeve të reja.

Sipas Ministrisë së Arsimit fondi i vënë në dispozicion për këtë fëmijë është 5 milionë lekë.

Top Channel