Konsiderohet si një nga kërcimet më sensuale që mbart shumë thyerje e lëvizje ritmike.

Për profesionistët e vallëzimit, asgjë më shumë sesa një tango nuk arrin të përcjellë ndjenja përmes lëvizjeve të trupit. Tango i përket të paktëve kërcime që rrugës së gjatë prej së kaluarës dhe shëtitjeve nga njëri kontinent në tjetrin, ka bërë rezistencë të fortë deri sot, në kohërat e kulmit të shpërthimit të rrymave të reja muzikore.

Frymëzimi i shumë subjekteve kinematografike dhe romancave, tango mbetet edhe në Shqipëri një vallëzim shumë i preferuar. Teksa vizitojmë një palestër të dansit sportiv në Tiranë, shohim se shumë të rinj janë të apasionuar pas këtij kërcimi me origjinë latine.

“Është kërcim romantik, plot energji dhe forcë. Ballroom është më e bukura”, shprehet Kris. Ai dhe Sindi kanë 10 vjet që mësojnë tango së bashku. Për ta, të vallëzosh në këto ritme është si të derdhësh një mori ndjenjash, të cilat ata tashmë janë mësuar t’i shpehin përmes hapave. “Tango është një kërcim që gjej veten. Është një kërcim ku mund të shpreh të gjitha llojet e ndjenjave. Tango është një kërcim i pavdekshëm dhe do vazhdojë të jetë i pëlqyer”, pohon Sindi.

Tango josh shumë njerëz. Në Shqipëri, ajo nuk përfaqëson vetëm profesionistët, por njerëz të ndryshëm që përballë hapave ritmikë nuk dëshirojën të qendrojnë thjesht spektatorë. Tashmë kjo është kthyer në një modë, sidomos në Tiranë. “Tango kërcejnë të tërë. Tango është e të gjithëve. Sa e lashtë është, aq edhe e re, sepse kërcehet në mënyra të ndryshme. Tango fillon që në moshën 8-vjec për të thënë që edhe 60-vjecarët vijnë dhe mësojnë tango. Kemi dhe shumë cifte që martohen e që vijnë ta mësojnë”, nënvizon Albana.

Sipas instruktores Sonia Boshnjaku, kërcimi i tangos nuk është shumë i thjeshtë për t’u përvetësuar. Në morinë e koreografive nga stile të ndryshme në vende të ndryshme, është e nevojshme shumë dinamikë e po aq ndjeshmëri për të mësuar të kërcesh një tango ashtu siç duhet. “Kemi dy lloj tangosh, argjentinase dhe ajo e salloneve. Është shumë e vështirë të mësosh tango, por njëkohësisht është edhe shumë e bukur. Të bukur tangon e bëjnë ajo lëvizjet e prera, sensuale”, pohon ajo.

Edhe pse origjinën e mbart nga Argjentina e largët, tashmë tango është pasuri ndërkombëtare artistike. Instruktorja Albana Sinanaj, tregon se ajo ka një traditë të hershme të krijimit të muzikës tango si dhe të kërcimit të saj edhe në Shqipëri. Një rrymë që ende sot pëlqehet në festa familjare, gëzime e raste kur miq mblidhen së bashku. “Është një tango e prindërve tanë në vitet ’30, ose më herët kur grupe nga Buenos Aires vinin në Europë dhe kështu u përhap tango dhe tek ne. Gjithmonë është kërcyer tango, në dasma e kudo”, shon Albana.

Tango bën pjesë tek të paktat rryma dhe kërcime që ka pasur një influencë të gjerë nga kultura spanjolle deri ajo afrikane. E duket se shpërthimin e ka pasur, në fillim të shekullit të 20-të, ku balerinë dhe orkestrues nga Buenos Aires udhëtuan drejt Europës për të performuar tango në fillim në Paris, më pas në Londër, Berlin, etj. Nga fundi i vitit 1913 ajo u përhap mjaft në Nju Jork dhe  Finlandë.

Por, pas 1914-ës tango fitoi stile të ndryshme në vende të ndryshme. Sot ka shume lloj tangosh, por ajo qe konsiderohet si tango autentike dhe që është shumë afër origjinalit është ajo argjentinase dhe uruguajane. Në 2009-ën, me kërkesë të këtyre dy vendeve, Unesco e shpalli tangon si pjesë të  trashëgimisë kulturore jomateriale.

Top Channel