Opozita: Në tetor rinisim protestat

23/09/2010 18:50

Opozita shqiptare do të rinisë në tetor protestat masive për të kërkuar transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. 

Lajmin e kanë bërë të ditur eksponentë të rëndësishëm të saj, në përfundim të një takimi që kryetari i PS Edi Rama zhvilloi me aleatët.

Përfaqësuesit e opozitës u shprehën të pakënaqur me qëndrimin e mazhorancës gjatë këtyre muajve, e cila sipas tyre nuk u shpreh e gatshme për dialog.

“Do fillojmë protestat masive. Dialogu ka një kufi të caktuar. Mazhoranca s’ka dëshirë për dialog”, ka deklaruar kryetari i Partisë për Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe kryetari i PDS, Paskal Milo, i cili theksoi se nuk ka më kuptim që të vijojë “dialogu i shurdhëve”.

“Mazhoranca nuk po reflekton. Nëse vazhdohet kështu nuk ka kuptim të vijojë dialogu i shurdhëve dhe ne do të rinisim protestat. Ato do fillojnë brenda tetorit në rrethe dhe do kulmojnë në Tiranë”, ka pohuar Milo.

Top Channel