Djemtë e “këqinj”

22/09/2010 19:05

Askush nuk do të donte që fëmija i tij të bëhej pjesë e ndonjë vepre kriminale. Askush nuk do të donte që fëmija i tij të përfundonte në shtetrrethimin e djemve të pabindur.

Arritëm të thyenim rregullat e forta të burgjeve dhe nën ruajtjen e rreptë të forcave të policisë dhe vetë stafit punonjës që na shoqëronin kudo, kamera e “Pasdite në Top Channel” ka vëzhguar një ditë të tërë, të miturit e dënuar për vepra kriminale, në Institutin e Riedukimit të të Miturve në Kavajë.

Rreth 40 djem adoleshentë janë ngujuar në këtë ambjent për të kryer dënimin ku ai më i rëndë ishte 8 vjet për vrasje me paramendim.

Drejtori i këtij instituti Enver Cani është i ndërgjegjshëm për rolin delikat që ka institucioni që drejton.

“Kemi dy grupime ata që janë dënuar dhe ata që janë në paraburgim në proçes gjyqësor”, është shprehur Cani.

Për shkak të moshës së tyre shumë të re, këta fëmijë trajtohen me një shërbim të veçantë mesimor dhe psikologjik.

Ky institut edukativ është shkolle, punë, shtëpi e gjithçka për ta.

Të shkëputur nga jeta jashtë, dijet i marrin si të gjithë bashkëmoshatarët e tyre.

Pavarësisht moshës së tyre grupet ndahen në bazë të aftësive.

“Këtu bëjmë lexim, mbledhim, zbresim. Jashtë kam lënë përgjysmë klasën e pestë. Këtu jam në klasë të katërt”, shprehet një prej djemve.

“Jam 14 vjeç, kam lënë klasën e pestë përgjysmë dhe tani po e vazhdoj këtu”, shton një tjetër.

Mësuesi i klasës jep disa lëndë në mënyrë që formimi i tyre të jetë i përgjithshëm.

“Djemtë paraqesin interes për të mësuar dhe ne përpiqemi që kur të dalin të jenë të formuar që mos të bëhen kontigjent krimi”, thotë mësuesi i klasës.

Tek adoleshentët me nivel më të lartë arsimor ndërgjegjësimi për të qëndruar larg rrugës së krimit është më i madh, siç pohon Enea.

“Jam nga Elbasani, jam dënuar për vjedhje dhe pres të dal. Nuk shkoja në shkollë, shoqëria e keqe… kur të dal do të ndjek shkollën”, shprehet Enea.

Përveç arsimit të detyruar 9 vjeçar për të gjithë, djemtë të përkushtuar mësojnë në këtë institut, të pikturojnë, të flasin anglishten dhe kurse kompjuteri.

“Unë komunikoj gjithnjë me ta u rri pranë dhe nuk i pyes për dënimin. Rëndësi ka që ata janë të angazhuar dhe nuk sjellin probleme”, thotë Cani.

Pas ngrënies së drekës, djemtë e mitur shkojnë në punë.

Zdrukthtaria dhe gdhendja e drurit është përcaktuar si një mënyrë e mirë për t’u ngulitur atyre disa koncepte të ngjashme rreth natyrës së njeriut. Për disa, ajo mund të shndërrohet edhe në një zanat të ardhshëm.

Këta djem kanë punuar objekte të ndryshme druri dhe qëllimi i tyre tani do të jenë disa karrige të vogla.

“Do të bëjmë karrige të tjera dhe do t’i çojmë për fëmijët e vegjël në kopësht”, thotë një prej fëmijëve.

Aktivitetet sportive janë dhe pjesa më e këndshme për të miturit gjatë ditës. Një sallë e pajisur me të gjitha veglat e forcës shërben për stërvitjen trupore të tyre, sigurisht të ruajtur nga efektivë të policisë për të shmangur raste konfliktesh me mjete të hekurta.

Edhe nëse ndodh kështu, këtu ka një dhome izolimi ku shpirtrat rebelë mbahen të veçuar nga 10 ditë e deri një muaj.

Fushë futbolli dhe tavolina ping-pongu janë sporte ku grupet garojnë me njeri-tjetrin.

“Jam prind vetë dhe i këshilloj dhe i trajtoj me gjuhën e prindit për mua të gjithë këtu janë njëlloj të dënuar dhe të padënuar”, shprehet drejtori.

Një ditë me program të ngjeshur edukativ, ku keta djem të pasjellshëm dikur, duket se kanë një ide të përbashkët kur të kenë dalë nga ky rrethim.

“Do të shkoj në shkollë”, është shprehur një prej fëmijëve.

“Do të bëj zanatin e marangozit”, thotë një tjetër.

T’i dënosh rëndë ata, apo të shpenzosh për t’i rehabilituar??! Në shkollën e riedukimit, besojnë tek e dyta.

FOTO GALERI
2/4

Top Channel