PS: Taksat e reja rritën cmimet

20/09/2010 15:25

Ekspertët e Partisë Socialiste kanë bërë përgjegjëse qeverinë se me politikën e gabuar fiskale po rrit varfërinë. (UPDATE)

Ilir Beqja tha se rritja së fundmi e disa taksave ka goditur direkt cmimet e mallrave më të domosdoshme për jetesën e qytetarëve

“Shqiptarët janë dëshmitarë të rritjes drastike gjatë muajit gusht të çmimeve të vajit, ujit, qumështit, sheqerit dhe të gjithe produkteve të tjera të amballazhuara me plastikë dhe qelq. Të gjithë duhet ta dinë arsyen e vërtetë të rritjes së çmimeve të këtyre produkteve ushqimore. Përmes një politike fiskale absurde, ministri i Financave rriti taksën e amballazheve, taksë e cila përmes një veprimi zinxhir, në shumë pak ditë solli rritjen e menjëhereshme të çmimeve”, u shpreh Beqja.

Ilir Beqja tha se qeveria nuk po i administron dot më financat publike, të cilat sipas tij janë treguesi më i qartë i krizës

“Të ardhurat e mbledhura nga TVSH brenda vendit kanë rënë 12% krahasuar me një vit më parë.  Ky është treguesi më i drejtëpërdrejtë i standardit të jetesës së shqiptarëve. As ulja e planit në muajin korrik nuk e shpëtoi dot qeverinë. Mungojnë plot 10 milionë dollarë. Shprehja që dëgjojmë çdo ditë nga shqiptarët është: Punë nuk ka ; Lekë nuk ka”, theksoi Beqja.

Për partinë socialiste, papunësia ka arritur në 1 milionë, ndërsa të ardhurat e biznesve kanë rënë.  

Top Channel