OSBE: Votimi elektronik të kryhet në vendet anëtare

20/09/2010 10:45

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë(OSBE) ka promovuar implementimin e votimit elektronik në vendet anëtare.

Zyrtarët e organizatës kanë nisur diskutimin mes ekspertëve që të vendosë në rendin e ditës së shpejti një zgjidhje për procesin e teknologjisë së lartë.

Presidenca e radhës e OSBE-së drejtohet aktualisht nga Kazakistani dhe kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të këtij vendi, Kuandyk Turgankulov, deklaroi në mbledhjen e OSBE-së që u zhvillua në Vjenë se “përfshirja e zgjidhjeve të reja teknologjike në një proces elektoral, me zhvillimin e sistemit të votimit është e komplikuar, komplekse dhe në shumë aspekte është një çështje që ngjall diskutime”.

Ambasadori Janez Lenarcic, drejtori i zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut (ODIHR) nënvizoi nevojën e përfshirjes së votimit elektronik për të rritur sigurinë e procesit.

“Votimi elektronik duhet të operojë në mënyrë të sigurt në përmbushjen e standardeve të OSBE-së dhe ato ndërkombëtare për zgjedhje demokratike dhe të ofrojë disa garanci për transparencën, përgjegjësinë dhe konfidencën publike në krahasim me metodat tradicionale”, theksoi drejtori i ODIHR-it. OSBE ka rritur kapacitetin për të këshilluar shtetet anëtare në lidhje me bashkëpunimin me ODIHR-in në mënyrë që të shtohet vëzhgimi i proceseve zgjedhore.

Top Channel