Kriza, drejt skadimit afati i BE-së

20/09/2010 10:30

Kriza politike në vend e cila po vijon të mos zgjidhet po rrezikon çdo ditë e më shumë Shqipërinë në marrjen e statusit kandidat në Bashkimin Europian.

Fillimi i muajit nëntor është edhe koha kur Komisioni Europian do të japë opinionin e tij dhe për kërkesën e Shqipërisë për të marrë këtë status, përgjigje e cila zor të jetë pozitive në rast se kriza politike nuk do të ketë një zgjidhje.

Shtatori pritej të ishte edhe muaji kur palët të gjenin konsenusin, por deri tani nuk ka asnjë sinjal pozitiv për sa i përket gjetjes së zgjidhjes për hetimin e zgjedhjeve të shkuara parlamentare. Po kështu, mësohet se ambasadorët e vendeve të BE-së në Tiranë të këshilluar edhe nga zyra e Komisionit Europian në vend kanë nisur “presionin” tek aktorët kryesorë të politikës në vend në mënyrë që zgjidhja e krizës, të mos ndodhë atëherë kur të jetë shumë vonë.

Alarmi

Ishte ambasadori i Belgjikës në Shqipëri, Mark Mishelsen, i cili në një konferencë për shtyp të dhënë rreth tre muaj më parë theksoi se palët politike në vend duhet të nxitonin për zgjidhjen e kontradiktave politike që rrodhën në zgjedhjet e kaluara të përgjithshme, përndryshe në fillimin e muajit nëntor do të penalizohen. Ambasadori i vendit që ka dhe presidencën e radhës së BE-së dhe që e ka selinë diplomatike në Sofje të Bullgarisë ishte i prerë në qëndrimin e tij për nevojën e gjetjes së një zgjidhjeje për krizën. “Për të ecur përpara duhen sinjale  pozitive nga politika e brendshme. Ne kemi shprehur shqetësimin për ngërçin politik në vend dhe moszgjidhjen e tij. Mazhoranca dhe opozita duhet të punojnë së bashku për të gjetur zgjidhjen e tij, përpara se KE të japë opinionin për Shqipërinë”, deklaroi Mark Mishelsen në mesin e korrikut, gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Tiranë. Sipas tij, Komisioni Europian do të përfundojë opinionin e tij për progresin në Shqipëri në fund të shtatorit dhe do ta publikojë në tetor ose nëntor, ndaj deri në këtë kohë është e domosdoshme që palët të gjejnë kompromisin. Në lidhje me këtë çështje, Mishelsen u bëri thirrje partive politike që ta gjejnë zgjidhjen në mënyrë transparente dhe kushtetuese, duke pasur si bazë të saj rezolutën e Parlamentit Europian të miratuar në fillim të verës.

Por negociatat mes dy të mandatuarve të partive për çështjen e krizës, Astrit Patozit nga PD dhe Gramoz Ruçit nga PS duket se kanë ngecur në vend. Shkak për këtë është bërë fati i fletëve të votimit të zgjedhjeve të shkuara, kur palët ndahen në mënyrën e trajtimit të tyre dhe hetimit në komision.

 

 

Top Channel