Hayman: Pozitë-opozitë të punojnë në Kuvend

20/09/2010 18:30

Kryetarja e Dhomës së Lordëve në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, baronesha Helene Hayman u ka bërë thirrje subjekteve politike shqiptare, në pozitë dhe opozitë, që të përfaqësojnë seriozisht votuesit e tyre në Parlament.

Në një fjalim para deputetëve në Parlamentin e Shqipërisë, Hayman ka deklaruar se ky institucion është forrumi i një shoqërie demokratike dhe vendi i vetëm ku miratohen ligje dhe rezoluta.

“Në cdo vend demokratik Parlamenti zë një vend të rëndësishëm. Nga mënyra sesi ne punojmë, ka parime të rëndësishme që kërkojnë vendime të përbashkëta. Parlamenti është forrumi i një shoqërie. Pjesëmarrja në Parlament është përgjegjësi për secilin nga ne”, ka pohuar Hayman.

Baronesha është shprehur se debatet mes palëve në Parlament janë normale dhe po ashtu është edhe llogaria që pozita apo opozita mund t’i kërkojë qeverisë për vendimet e saj.

“Është detyra jonë, që si pozitë apo opozitë, t’i kërkojmë llogari qeverisë për vendimet apo politikat. Ne duhet të zhvillojmë ekspertizën përmes komisioneve parlamentare”, ka nënvizuar baronesha.

“Është shumë e rëndësishme mënyra sesi sillemi ne si parlamentarë. Duhen dëgjuar me respekt pikëpamjet e atyre me të cilët ne nuk jemi dakord. Vetëm vendet demokratike mund të kenë opozitë”, ka theksuar ajo.

Më tej, duke vlerësuar arritjet e Shqipërisë në këto dy dekada, baronesha Hayman e ka mbyllur fjalimin duke bërë thirrje për unitet dhe me një thënie të fuqishme: “Mos shikoni kisha e xhamija, feja e shqiptarit është shqiptaria”.

Top Channel