Brukseli: Vizat, proces më shumë teknik

20/09/2010 10:40

Ndryshe nga procesi i marrjes së statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian, procesi i liberalizimit të vizave për Shqipërinë, është konsideruar si një proces tërësisht teknik dhe jopolitik.

Kjo u pohua tre muaj më parë edhe nga ambasadori i Belgjikës në Shqipëri. “Në lidhje me liberalizimin e vizave ky është një proces teknik për sa kohë kjo ka të bëjë me Belgjikën dhe jo një proces politik. Komisioni Europian ka lëshuar opinionin e tij për liberalizimin e vizave dhe për Shqipërinë mbeten tri kërkesa apo standarde, të cilat duhet të përmbushen”, ka paralajmëruar ambasadori vendi i të cilit, prej muajit qershor mban edhe presidencën e radhës së BE-së.

Në nëntorin e këtij viti, Shqipëria do t’i përballë këto dy procese të mëdha. Kështu, në fillimin e nëntorit është përcaktuar data e dhënies së opinionit të KE-së për statusin e vendit kandidat në BE. Po në fillim të nëntorit, çështja e liberalizimit të vizave do të diskutohet në Këshillin e Ministrave të Brendshëm të vendeve të BE-së.

Top Channel