Votimi i dyfishtë, Oketa: I turpshëm

19/09/2010 17:30

Ish-Ministri i Mbrojtjes dhe deputeti i Partisë Demokratike Gazmend Oketa e ka cilësuar një turp të vërtetë mënyrën sesi u rrëzua dekreti i presidentit Topi për ligjin e pronave në Kuvend.

Në një intervistë për revistën Mapo zoti Oketa i njohur si një ndër njerzit e fundit të grupit parlamentar demokrat i pozicionuar pranë Presidentit të Republikës Bamir Topi, ka shprehur hapur kundërshtitë e tij ndaj procedurës që është ndjekur për të rrëzuar dekretin e kreut të shtetit.

Zoti Oketa duke iu drejtuar jo drejtpërdrejtë zonjës Topalli, por duke nënkuptuar veprimet e kryetares së Kuvendit, thekson në intervistë se arsyet e këtij aksioni duhet t’i japin ata që kanë për detyrë të respektojnë jo vetëm thjesht Kushtetutën, por edhe dinjitetin e deputetëve.

Institucionet e shtetit thotë ai me tej, nuk duhet të ngrihen apo forcohen duke lyer fasadat e tyre, por duke respektuar pavarësinë e secilit prej tyre, duke marrë  vendime nga interesat e qytetarëve dhe jo nisur nga raportet personale të drejtuesve të radhes të shtetit shqiptar.

Në seancën e ditës së enjte Kuvendi i Shqipërisë rrëzoi pas një votimi të dyfishtë dekretin e Presidentit të Republikës, Bamir Topi për ligjin e kthimit dhe kompensimit të pronave. Ndërkohë në një njoftim për shtyp një ditë pas seancës, Kuvendi i Shqipërisë sqaroi se votimi i parë ishte shtyrë me kërkesë, por pa sqaruar se në cilin moment dhe se nga kush u bë kjo kërkesë.

Opozita nga krahu i saj e quajti anti-kushtetuese votimin dhe kërcënoi me ankimim në Gjykatën Kushtetuese nëse shumica nuk do të tërhiqet.

Top Channel