Rama: Votat nuk do të digjen

19/09/2010 15:15

Nga Saranda kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka shprehur siguri në faktin se as kryeministri dhe as Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk do të marrin përsipër djegien e fletëve të votimit duke shkatërruar në këtë mënyrë provat e vërteta, sipas tij, të manipulimeve të proçesit elektoral të 28 qershorit.

Ky besim sipas Ramës mbështetet tek njohja që vetë ai thotë se ka për kryeministrin Berisha.

“Unë hyj tek ata që e dimë mirë që Saliu nuk është trim, por është frikacak dhe vetëm frikacakët janë të pafuqishëm dhe të paaftë për ta qeverisur drejtë komunitetin apo popullin e tyre, për ta udhëhequr drejt vendin e tyre, për t’u përballur me të vërtetën dhe janë në gjendje të prodhojnë përditë shpifje, sharje e gënjeshtra që ne të gjithë dëgjojmë. Kështu që kjo është një marrëzi që Saliu nuk do ta bëjë jo se nuk është i marrë por se është frikacak”, tha Rama.

Objektivi i të gjithë popullit opozitar sipas kryesocialistit po qartësohet në kushtet kur transparenca e zgjedhjeve nuk po kryhet dhe sipas tij po pengohet nga qeverisja aktuale.

“E sotmja është e rëndë, por e nesërmja do të jetë më e rëndë nëse në nuk do të ngrihemi të protestojmë edhe më me forcë, nëse nuk do të vazhdojmë me vendosmëri betejën tonë për transparencë duke kërkuar dhe realizuar largimin e qeverisë së Sali Berishës, sigurisht bashkë me Sali Berishën”, vijoi më tej kreu i PS-së.

Duke ju referuar inagurimeve të kryeministrit në infrastrukturën rrugore, zoti Rama ngre dyshimet se pse të gjitha investimet po kryhen në zonat ku është provuar sipas tij, se janë grabitur dhe po grabiten prona nga ana e pushtetarëve dhe bizneseve pranë qeverisë.

“Ato rrugë, po të shikoni se çfarë po ndodh, po çojnë atje ndërtimtarinë alla-Sali, pa leje, pa plan, pa kanalizime, pa ujë. Secili bën atë të veten. Po ndërtojnë Lanën e dikurshme mu në buzë të Jonit. Turp!”, u shpreh zoti Rama.

Top Channel