Ruli: Pronarët mbi 90% të tokës

18/09/2010 19:45

Zëdhënësja e ish-ministrit të Ekonomisë Genc Ruli, i vënë në qëndër të akuzave të opozitës për shitje të dyshimta të pronës publike, ka dalë sërish para mediave për të mbrojtur privatizimin e ish-ekspozitës “Shqipëria Sot”.

“Privatizimi i ekspozitës është bërë në favor të pronarëve dhe asnjë qytetari tjetër. Dokumentet zyrtare vërtetojnë se kjo pronë është regjistruar në emër të pronarëve të ligjshëm që zotëronin 90% të truallit”, ka deklaruar zëdhënësja Iva Tico.

Ndërsa socialistët kanë bërë publik vendimin e Këshillit të Ministrave të vitit 2008, zoti Ruli thotë se cmimi i shitjes së mbi 2900 metrave truall shtetëror tek ky objekt është përcaktuar duke u bazuar tek një ligj i vitit 2004.

“Cmimi i saj, sado që të vihet në dyshim, rrjedh nga ligji i vitit 2004 për kthimin dhe kompensimin e pronave”, ka shtuar Tico.

Në një vendim që mban datën 26 nëntor të vitit 2008, qeveria ka ndryshuar cmimet e trojeve në të gjitha zonat përreth ekspozitës “Shqipëria Sot”, duke i rritur ato deri në tre herë, në 120 mijë lekë.

Ndërkohë që në këtë zonë cmimet nuk u ndryshuan, por mbeten 42 mijë lekë metri katror. Kjo mbetet dhe një nga pikat më të errëta të këtij privatizimi, për të cilin opozita prej ditësh po kërkon përgjigjen e ministrit Ruli dhe kryeministrit Berisha dhe për të cilën është duke hetuar edhe prokuroria.

Top Channel