Kuvendi: Votimi për dekretin 2 herë

17/09/2010 19:35

Kuvendi pranon se dekreti i presidentit për pronat është votuar dy herë.

Një ditë pas votimit të dyfishtë në seancë plenare, Kuvendi i Shqipërisë, përmes një njoftimi për shtyp, ka sqaruar se nuk ka patur asnjë shkelje dhe gjithcka është kryer brenda rregullores, duke kundërshtuar kështu akuzat e opozitës.

“Gjatë proçedurës së votimit të dekretit “Për kthimin për rishqyrtim të ligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për kthimin dhe kompensimin e pronës” të ndryshuar”, me kërkesë, është pezulluar votimi dhe është ribërë, si pikë e fundit e rendit të ditës. Dekreti i presidentit është rrëzuar me shumicën e nevojshme të kërkuar nga neni 85, paragrafi 2 i Kushtetutës”, thuhet në deklaratën e Kuvendit.

Ndërsa ka deklaruar se shtyrja e votimit është kryer me kërkesë, në deklaratë nuk është sqaruar se kush dhe kur u bë kërksa, c’ka nuk dallohet as nga pamjet televizive dhe nuk njoftohet zyrtarisht dhe publikisht në sallë.

Megjithatë, Kuvendi në njoftim rikonfirmon se nuk ka asnjë shkelje dhe se për korrektesën e kësaj procedure, shërbimi i seancave plenare është i gatshëm të përballet me cdo deputet, grup deputetësh apo grup parlamentar që do të kontestonte sipas rregullores vlefshmërinë e saj në instancat përkatëse.

Top Channel