Vështirë se i gjithë Ballkani Perëndimor do të mund të hyjë në Bashkimin Europian, ndërsa çështja e Kosovës, përfshi statusin e saj, nuk do të jetë zgjidhur, deklaroi nënkryetari i qeverisë serbe, Bozhidar Gjeliç, në një prononcim të tij për radiostacionin serb B92, duke theksuar, në mënyrë të veçantë, se Serbia nuk do të hyjë në BE deri sa të zgjidhet çështja e Kosovës.

Sipas tij, as Kosova nuk do të mund të hyjë në BE, deri sa në këtë të fundit të ekzistojë qoftë edhe një shtet i vetëm që nuk e njeh pavarësinë e saj. Duke vazhduar më poshtë, zëvendëskryeministri serb theksoi se “kjo do të thotë se dëshira për anëtarësim në BE duhet të shërbejë si një nxitje shumë e fuqishme që të arrihet marrëveshje lidhur me Kosovën, në mënyrë që këto dy çështje, Europa dhe Kosova, të mos i kundërvihen njëra-tjetrës sa i përket Serbisë, por ato të kenë një sinergji (bashkëveprim) të caktuar, pra që rruga jonë për në Europë ta ndihmojë zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe jo ta pengojë atë”.

Sa u përket bisedimeve të pritshme me Prishtinën, Gjeliç vuri në dukje se qeveria serbe “deri tani nuk ka marrë ende asnjë vendim” për temat eventuale të bisedimeve dhe se është logjike që Beogradi dhe Prishtina të mos jenë dakord për këtë çështje. “Bisedimet organizohen në mënyrë që të dyja palët që nuk bien dakord për çështje të caktuara, të ulen dhe të bisedojnë për këto çështje dhe të kërkojnë kompromis. Serbia konsideron se është e nevojshme që të bisedohet për statusin e Kosovës, ndërsa Prishtina është e mendimit se duhet të bisedohet vetëm për çështje teknike”, tha nënkryetari i qeverisë serbe, duke theksuar se duhet të tregohet kujdes që në bisedimet për çështjet teknike të mos arrihet deri te “njohja indirekte e pavarësisë së Kosovës” dhe solli si shembull rastin e përdorimit të vulës së Kosovës në organizatën ndërkombëtare të tregtisë së lirë CEFTA, ku edhe Serbia është anëtare.

Ndërkaq, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe ata të serbëve lokalë nuk kanë mundur të pajtoheshin as edhe për një pikë të vetme në tryezën që për temë diskutimi kishte shkallën e punësimit të serbëve në institucionet publike, temë dhe tryezë kjo e organizuar nga Forumi për Dialog Etnik.

Dukagjin Gorani, i cili përfaqësonte qeverinë e Kosovës në këtë tryezë, ka kërkuar nga përfaqësuesit serbë të Kosovës që të shfaqin nivel të pranueshëm të besueshmërisë dhe të dëgjueshmërisë kundruall institucioneve. Sipas tij, kjo do të ndikonte edhe në zgjerimin e mundësisë për punësim të tyre në institucionet e vendit. Momçilo Trajkoviç, udhëheqës i lëvizjes serbe për rezistencë, ka deklaruar se “ne nuk do të tregohemi asnjëherë të dëgjueshëm dhe asnjëherë nuk do të pranojmë që të punësohemi, me kusht që të jemi të dëgjueshëm dhe të besueshëm ndaj jush”, ka thënë Trajkoviç.

Top Channel