PS, letër Brukselit për votat

16/09/2010 20:20

Të alarmuar nga deklaratat për djegien e fletëve të votimit, socialistët nuk u mjaftuan me reagimet publike në Tiranë, por i dërguan një letër informimi komisionerit për Zgjerim, Stefan Fule, liderëve të dy grupimeve kryesore politike në Parlamentin Europian, Joseph Daul dhe Martin Shultz, si dhe eurodeputeteve të ndryshëm të Komitetit të Jashtëm.

“Situata është bërë shumë kritike pas deklaratës së fundit të kryetarit të KQZ-së (përfaqësues i qeverisë), i cili pas reagimit të kryeministrit, u shpreh se do të shpallte në 17 shtator 2010 vendimin për të hapur kutitë e votimit dhe do të eleminonte fletët e votimit me pretekstin se ‘kutitë duhet të jenë bosh për zgjedhjet e ardhshme’ që mbahen ne 8 maj 2011. Nëse ky vendim do të merret, atëherë mundësia e një hetimi parlamentar mbi zgjedhjet e përgjithshme të 2009-s do të jetë përfundimisht e humbur”, thuhej në letër.

“Ne mbetemi tejet të shqetësuar për shkak se një gjë e tillë do të përbënte një goditje të rëndë për demokracinë tonë parlamentare dhe përpjekjeve për dialog politik në vend dhe do të cënonte drejtpërdrejt të drejtën kushtetuese të opozitës për transparencë, por dhe të drejtën tonë për të kryer hetime parlamentare. Ajo do t’i jepte fund çdo mundësie në të ardhmen për dialog politik e bashkëpunim mes partive. Kriza politike në vend do të hynte në një rrugë pa kthim, demokracia do të vihej në rrezik serioz dhe kriteret e Kopenhagenit për zgjedhje të lira e të ndershme do të rrezikoheshin seriozisht”, lexohej në tekst.

Përmbajtja e letrës, e cila është dërguar në emër të kreut të grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, në thelb fajëson qëndrimin e PD-së gjatë negociatave për zgjidhjen e krizës politike.

“Oferta jonë politike përfshinte një draft-marrëveshje mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste e cila mundësonte një zgjidhje të menjëhershme e të plotë të krizës politike në vend, bazuar në parimet e kushtetueshmërisë dhe të transparencës dhe hapte një faqe të re për bashkëpunim të gjatë e të qendrueshëm mes të dy palëve”, thuhej në tekst.

“Fatkeqësisht qeveria ka abuzuar me tolerancën e opozitës. Ndërsa ne u përpoqëm të ofronim një zgjidhje edhe më konstruktive ndaj krizës, qeveria u përgjigj duke ju kthyer pozicionit të mbajtur një vit më parë. Reagimi i qeverisë, ndërkohë që në dukje përputhet me kërkesën tonë për inspektim të materialeve zgjedhore, nuk mbështet fillimin e proçesit hetimor, pa marrë një përgjigje nga Komisioni i Venecias në lidhje me fletët e votimit, që do të thotë një rënie e thellë e pozicionit të mbajtur gjatë negociatave përpara miratimit të rezolutës së Parlamentit Europian”, shkruhet në letër.

Kabineti i Stefan Fule konfirmoi për TCH se letra e socialistëve ka mbërritur në destinacion.

Ndërkohë që nga Parlamenti Europian, i pari që ka reaguar është socialdemokrati Giani Pitella, njëkohësisht zëvendëspresident i Parlamentit.

Përmes një komunikate për shtyp, Pittella pohon se “djegia e fletëve të votimit do të ishte goditje e rëndë për demokracinë parlamentare në Shqipëri dhe kriza politike do të hynte në një rrugë pa kthim”.

Zëvendëspresidenti Pittella i bën thirrje “të dy palëve, në veçanti qeverisë, që të marrin të gjitha masat e nevojshme për ngritjen e komisionit hetimor në përputhje me rezolutën e Parlamentit Europian”.

Top Channel