Numrat në Parlament, pas tronditjes në qeveri

14/09/2010 08:35

Partia Demokratike do të përballet me një stinë të vështirë për votat në Parlament në sesionin e ri kuvendor.

Përplasjet brenda mazhorancës vendosin në pozicion të vështirë formulën e shumicës në Parlament.

Heqja nga kabineti i një ministri që ka një votë në Kuvend, vendos në pozitë të vështirë grupin më të madh parlamentar.

Demokratët kanë 68 vota të padiskutueshme në Parlament dhe një votë të sigurt nga republikani Fatmir Mediu. LSI, pas ‘konflikteve’ të fundit nga katër deputetë në Parlament, pritet që vetëm tre prej të ndjekin të njëjtën linjë votimi me qeverinë “Berisha”.

Është ende i paqartë qëndrimi që deputeti Dritan Prifti do të mbajë në Kuvend ndaj nismave të shumicës, vendim ky që pritet të marrë përmasa mbi qëndrimin e tij brenda mazhorancës në ditët në vazhdim.

Po kështu, në bazë të marrëveshjes që pritet mes PD-së dhe PDU-së, shumica në Kuvend mund të marrë edhe dy votat e Partisë Për Drejtësi dhe Unitet.

Marrëveshjet politike të PD-së, e cila ndodhet në një situatë të sikletshme aktualisht me aleatët e saj, që tashmë ndodhen në pozicione komode, do të vendosin edhe fatin e shumicës parlamentare në sallën e Kuvendit.

Top Channel