Në qershor, rritja ekonomike 4.1 për qind

14/09/2010 09:00

Në muajin qershor ekonomia shqiptare ka pësuar tkurrje të rritjes, krahasuar me një muaj më parë.

Vlerësimi bëhet nga zyra e politikave makro-fiskale në Ministrinë e Financave, ku sipas parashikimeve të bëra, del se rritja ekonomike në qershor të jetë diku te 4.1 për qind, nga mbi 5 për qind që ishte në muajin maj.

Në fund të gjashtëmujorit të parë 2010, të ardhurat buxhetore gjithsej arritën në 150 miliardë lekë, ose rreth 8.7 për qind më pak se parashikimi dhe 3.4 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Të ardhurat tatimore, po në fund të këtij gjashtëmujori, arritën në 136.7 miliardë lekë, ose 10.2 për qind më pak se parashikimi, por krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ato janë rreth 3.7 për qind më të larta.

Sa u takon shpenzimeve të përgjithshme të buxhetit në fund të këtij gjashtëmujori, Ministria e Financave thotë se realizuan 171 miliardë lekë, ose 2.9 për qind më pak se parashikimi, dhe krahasuar me gjashtëmujorin e parë 2009, shpenzimet rezultuan 4 për qind më të ulëta.

Shpenzimet korrente rezultuan me 4.3 për qind më pak se parashikimi dhe 7.1 për qind më shumë se viti i kaluar, ndërsa shpenzimet kapitale rezultuan 7 për qind më të larta se parashikimi (33.6 për qind më pak se viti i kaluar).

Top Channel