Mustafaj: Berisha të bënte ndryshime të tjera

13/09/2010 15:25

Ish-ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj flet për ndryshimet e fundit në qeverinë “Berisha”.

I ftuar në edicionin e orës 15:00 në Top Channel, Mustafaj është i mendimit se vendimet për ndryshime në qeveri nga ana e LSI-së vijne për performancën e saj në kabinetin qeveritar që duket se ka caluar të ministri Prifti.

Mustafaj nuk ka dashur të komentojë arsyet e vendimit për ndryshime, por theksoi se është shenje jo e mire deklarata e kryeministrit Berisha për ministrin në ikje, Dritan Prifti.

“Nuk ka një përputhje vlerësimi që bën LSI dhe Berisha për këtë ministër. Duket sikur kryeministri bën një paralajmërim për të mos e prekur këtë politkan. Une mendoj se duhet marrë seriozisht paralajmërimi i Berishës, që bëhet nëpërmjet superlativave që i drejton punës së Priftit në krye të METE-së”, thekson Mustafaj.

Shkrimtari dhe publicisti thekson se Berisha humbi një rast për t’i bërë analizë qeverisë, e që këtë stinë vjeshte të bënte ndryshimet e duhura.

“Ne demokratët kemi pakënaqësi për disa ministra dhe më shumë pakënaqësi mund të kenë qytetarët. Do të ishin të duhura ndryshimet në këtë stinë të re”, thotë Mustafaj.

Si njohës i mirë i diplomacisë, Mustafaj është i mendimit se ministri i ri , Edmond Haxhinasto do të vijojë në rrugën e nisur prej Ilir Metës në dikasterin e Ministrisë së Jashtme.

I pyetur nga Top Channel për deklaratat e fundit të kryeministrit grek Jorgos Papandreu, Mustafaj shprehu keqardhjen e tij që shefi i qeverisë helene e lidhi kërcënimin e tij me ngjarjen e Himarës.

“Papandreu ra në skemën e njohur tradicionale të qeverisjeve greke që sa here ka agravim të situatës së brendshme, transferon problemet te fqinjët”, tha Mustafaj.

Ai e konsideron deklaratën e Papandreut si ecje prapa në frymën për ndërtimin e marrëdhënieve me fqinjët.

Po ashtu Mustafaj shprehu bindjen se Greqia nuk mund ta përdorë Shqipërinë në asnjë moment si mjet të sajin, ndërsa integrimi i vendit tonë në BE është cështje e realizimit të standardeve, që përfshin edhe integrimin e minoriteteve.

Top Channel