Kombëtarja e peshëngritjes, protestë para Kryeministrisë

13/09/2010 13:50

Ashtu sic kishin paralajmëruar, peshëngritësit e kombëtares shqiptare bënë një protestë përpara kryeministrisë në lidhje me mungesën e dhënies së trajtimit ushqimor për dy muajt e fundit e për nenshkrimin e një kontrate të paktën gjashtë mujore.

Kjo është vetëm një nga kërkesat e tyre që vijojnë me rritjen e këtij trajtimi ushqimor nga 15 mijë lektë që është aktualisht në 50 mijë deri në 200.000 mijë në varësi të cilësisë së sportistit. Gjithashtu një tjetër pikë e kërkesave të tyre lidhet me sigurimet e tyre dhe njohjen e viteve të sportit si vite pune dhe njëkohësisht sigurimi i një vendi pune për sportistët medalist në polici ose gardë.

Në këtë protestë të tyre sportistët e trajnerët e përfaqësueses së peshëngritjes janë mbështetur edhe nga një grup tifozësh kuqezi.

Pas qëndrimit prej disa orësh përpara kryministrisë, një pjesë përfaqësuesish të këtyre sportistëve u takuan me këshilltarin e kryeministrit Neritan Ceka, takim në të cilin u parashtruan këto kërkesa të sportistëve për t’i kaluar më pas kryeministrit. Mosplotësimi i tyre i rrezikon vendit tonë kampionatin botëror që fillon më 17 shtator e që zhvillohet në Turqi.

Rëndësia e këtij aktiviteti rritet edhe më shumë pasi është botërori në të cilin sigurohen edhe pikët për t’u kualifikuar për në Olimpiadën e Londrës 2012.

Top Channel