Devoll, tërmeti shkakton dëme në pesë banesa

13/09/2010 08:20

Një ditë pas tërmetit që tronditi Qarkun e Korçës, pesë banesa në fshatin Baban, ku është regjistruar epiqendra, janë prekur nga dëmtimet në mure dhe plasaritjet.

Për shkak të ndërtimeve të vjetra në zonë, një pjesë e mureve rrethuese të banesave të fshatit kanë pësuar shembje të pjesshme. Oborret janë mbushur me tjegulla të rrëzuara dhe gurë të mureve anësore që janë shkëputur nga goditja e tërmetit dhe lëkundja. Banorët e fshatit Baban ku ka qenë epiqendra tregojnë se tërmeti është ndier i fuqishëm duke shkaktuar panik mes tyre. Ata tregojnë se pas lëkundjes së parë që është ndier më fort, ata kanë braktisur shtëpitë.

Tërmeti është shoqëruar me zhurmë dhe lëkundjet kanë zgjatur disa sekonda, por fatmirësisht nuk ka pasur shembje të shtëpive.

“Tërmeti ishte shumë i fortë. U trembëm dhe nxorëm fëmijët jashtë se po lëviznin të gjitha orenditë që kemi në shtëpi. Mua më janë çarë muret në të gjitha dhomat dhe më është shembur edhe muri anësor i shtëpisë. Ky ka qenë tërmeti më i fortë që mbajmë mend në këto vitet e fundit. Nga frika kemi qëndruar jashtë për dy orë. Lëkundja e dytë ishte më e lehtë dhe ngaqë ishte vonë nuk njoftuam komunën, ndërsa në mëngjes i thirrëm që të shikonin dëmet në shtëpitë e fshatit”, thotë Pëllumb Koburi, banor i Babanit.

Të paktën pesë familje kanë pësuar dëmtime të shumta në muret e banesave, ndërsa ndërtimet e reja nuk janë prekur nga  lëkundjet e shkaktuara nga tërmeti. “Shtëpisë sime i janë plasaritur muret. Dëmtimet nuk janë të mëdha, por nëse do të kishte një goditje të dytë të fortë, mund të rrëzoheshin. Janë shembur vetëm muret rrethuese që janë prej guri, ndërsa në shtëpi na ranë dollapët dhe u trembëm shumë. Të gjitha dhomat janë me mure të çara dhe presim që t’i shikojnë nga komuna”, thotë një tjetër banor. Pas tërmetit, komuna ka vendosur të ngrejë një grup pune për vlerësimin e dëmeve. Sipas kryetarit të këshillit të komunës, Neki Myskollari, janë disa familje të prekura për të duhet të nisë vlerësimi i dëmeve në banesa. “Sa më shpejt do të ngrihet një grup pune për të parë nga afër familjet që kanë pësuar dëmtime. Këto kanë qenë kryesisht plasaritje dhe shembje të pjesshme të mureve, megjithatë do të verifikohen të gjitha banesat”, deklaron Myskollari. Tërmeti që ka prekur zonën është regjistruar me një magnitudë 4.4 ballë dhe epiqendra ka qenë në fshatin Baban të Devollit.

Top Channel