Bien investimet e huaja

13/09/2010 20:10

Panorama e ekonomisë deri në fund të qershorit nuk ka qenë optimiste, vecanërisht në marrëdhëniet e saj me jashtë.

Të dhënat zyrtare tregojnë se vec eksporteve, të gjitha hyrjet e kapitalit që vijnë nga jashtë jo vetëm që nuk janë rritur por janë përkeqësuar ndjeshëm krahasuar me një vit më parë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, investimet e huaja direkte në gjysmën e parë të vitit ranë për herë të parë që nga 2005-a.

Sipas bankës, deri në fund të qershorit kompanitë e huaja kanë investuar në ekonominë shqiptare 325 milionë euro, ose 21 për qind më pak sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Por investimet nuk janë zëri i vetëm me rënie. Edhe të ardhurat nga emigrantët patën rënie të fortë, edhe pse 2010-a është trumbetuar paraprakisht nga qeveria si viti i bumit turistik.

Ndonëse nuk prekin kulmin e sezonit, të dhënat tregojnë se në gjysmën e parë të vitit ekonomia shqiptare ka përfituar nga turistet 411 milionë euro, ose 29 për qind më pak sesa e njëjta periudhë e një viti më parë.

Ndërsa dërgesat e emigrantëve kanë vazhduar edhe këtë vit tendencen e rënies që nisi dy vjet më parë.

Sipas të dhënave, emigrantët shqiptarë dërguan në ekonominë shqiptare për gjysmën e parë të vitit 392 milionë euro, ose 7.5 për qind më pak se një vit më parë.

Këto të dhëna tregojnë se kriza ka vazhduar të godasë fort flukset e valutës nga jashtë në të gjitha zërat e tyre, që mund të parlajmërojë rreziqe të tjera për qëndrushmërinë e ekonomisë.

Top Channel