Berisha, inaugurime dhe akuza

11/09/2010 19:40

Kryeministri Sali Berisha nga Kuksi ku ka qenë për të inaguruar konviktin e ri të shkollave të mesme, një investim me një vlerë prej 820 milionë lekësh bëri një ekspoze të asaj që e quajti ndryshim i Shqipërisë në çdo cep të saj.

Duke rreshtuar investimet e bëra nga qeveria, Berisha tha se ato do të vazhdojnë pa ndalim si në infrastrukturën rrugore, ashtu edhe në shëndetësi, arsim e sektorë të tjerë.

“Në tre vite Shqipëria do të jetë vendi i autostradave madhështore dixhitale; do të jetë vendi me përdorimin më të gjerë të internetit; do të jetë vendi ku qytetarëve do t’u shërbehet me një sportel të vetëm për të gjithë dokumentacionin që ata kanë nevojë; do të jetë vendi i shërbimeve më moderne në rajon dhe në Evropë”, është shprehur Berisha.

Shefi i qeverisë nuk harroi të sulmonte edhe opozitën, e cila, sipas tij, është kthyer në një grusht njerëzish që kanë si objektiv të manipulojnë dhe mashtrojnë opinionin publik.

“Këta shokë dhe zotërinj, të cilët nga mëngjesi deri në darkë vetëm shpifin, trillojnë dhe mashtrojnë; të cilët nga mëngjesi deri mëngjesi deri në darkë vetëm akuzojnë dhe tregojnë me gisht, nuk janë të aftë t’ju thonë ju asgjë tjetër. Ata nuk mund t’ju ofrojnë ju asgjë. Lejet e ndërtimit i ndajnë me njëri-tjetrin”, tha Berisha.

Sipas kryeministrit opozita aktuale po mendon dhe vepron për të penguar proçeset eurointegruese të Shqipërisë duke u kthyer në një faktor regresi për vendin.

“Ata mohojnë, nxijnë, çdo gjë që u kërcënon pushtetin; mohojnë, nxijnë, çdo gjë që u shkon qytetarëve, sepse për ta e gëzuar, e pasur, e zhvilluar, duhet të jetë vetëm nomenklatura. Këto skema kanë marrë fund. Sistemi që ndërtojmë është sistemi i qytetarëve”, theksoi kryeministri.

Top Channel