Bosch: Mos digjni fletët e votimit

10/09/2010 23:40

Kur situata politike mes shumicës dhe opozitës vazhdon të jetë e ndezur e deri në këto momente, të paktën zyrtarisht, pa asnjë rrugë ku të duket zgjidhja, ambasadori i OSBE-se Robert Bosch ka lëshuar një deklaratë të fortë përsa i përket fletëve të votimit. (UPDATE)

Në një intervistë dhënë Zërit të Amerikës, Bosch është shprehur hapur kundër djegies së fletëve të votimit, duke i dhënë një përgjigje në këtë mënyrë deklaratës së disa ditëve më parë të kreut të KQZ, Arben Ristani i cili theksoi se fletët e votimit do të digjen brenda shtatorit.

“Këto ditë kam qënë në Vjenë dhe nuk jam njohur me një deklaratë të tillë të Komisonit të Zgjedhjeve, ndoshta është një deklaratë vetëm e kryetarit dhe jo e komisionit. Gjithësesi nga pikëpamja juridike do ta konsideroja një veprim jo të mençur djegien e fletëve të votimit, shto faktin që nuk do të ishte korrekte nga ana juridike sepse sipas një ligji tjetër, jo Kodit Zgjedhor, nëse ngrihen padi prokuroria ka 2 vjet kohë në dispozicion. Prandaj fletët duhet të ruhen, të paktën edhe për 200 ditë, le të themi deri më 28 qershorin e vitit të ardhshëm në mënyrë që drejtësia të ketë mundësi të hetojë nëse do të jetë e nevojshme. Nëse fletët digjen atëherë s’ka se çfarë të hetohet”, tha për VOA, ambasadori Bosch.

Bosch ka shkuar më tej duke përdorur një ton disi ironik lidhur me pretendimet se KQZ-së se duhet të zbrazë kutitë për t’i përdorur për zgjedhjet e ardhshme.

“Argumenti se duhen kutitë e votimit qendron, por mendoj se mund të blihen kuti të reja pa e rënduar shumë buxhetin’, tha më tej ambasadori i OSBE-së.

Kjo deklaratë e ambasadorit Bosch vjen në nje moment kur shumica dhe opozita janë pozicionuar në llogoret e tyre duke pritur lëshimet e mundshme nga pala tjetër. Nje pozicion ky që pavarësisht zhvillimeve të forta politike që pasuan zgjedhjet e përgjithshme të një viti e gjysmë më parë, vazhdon të mbetet në pikën zero dhe pa asnjë avancim në gjetjen e gjuhës së përbashkët.

Top Channel