Ajazi: Nuk kam lidhje me Naim Selën

10/09/2010 20:15

Dy ditë pas akuzave të opozitës dhe dëshmisë së një personi se ishte dhunuar nga kunati i ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, ka reaguar Hektor Ajazi përmes një deklarate për shtyp.

Në të ai shprehet se nuk ka lidhje me atë që i ka ndodhur shtetasit Naim Selës dhe se nuk e ka goditur dhe as i ka grabitur pronën atij.

Zoti Ajazi ka paraqitur vendimin e hipotekës dhe dokumentat e shitjes për të vërtetuar që e zotëron atë prej datës 7 korrik 2008 dhe nuk e ka grabitur, ndërsa shtetasin që e akuzon për rrahje e cilëson si sekser.

“Sot i kam kërkuar avokatit tim – shkruan zoti Ajazi – të pregatisë padinë për kallzim të rremë ndaj qytetarit Naim Sela, i cili pretendon se është goditur nga unë dhe truprojat e mi. I kam shtuar padisë që kam bërë ditë më parë në gjykatë për dy deputetet socialiste, Xhaçka dhe Felaj, edhe padinë ndaj Artan Gaçes për shpifje dhe dëm moral”.

Dy ditë më parë deputeti socialist Artan Gaci denoncoi rrahjen e një shtetasi, që ishte shtruar në Spitalin Ushtarak. Vetë i lënduari akuzoi për këtë zotin Ajazi, duke e lidhur me një histori prone.

Top Channel