4 mijë biznese, ndotje me mbetje e gazra të rrezikshëm

09/09/2010 08:50

Pakkush e di, por një restorant, një furrë buke apo një punishte blegtorale na shkakton ndotje, pothuajse të njëjtë edhe me fabrikat e gëlqereve.

Nëse pranë shtëpisë kemi një restorant që djeg vajra e lëshon në hapësirë gazra që janë gati edhe me përmbajtje kancerogjene, apo një furrë buke, e cila gjatë gjithë natës tund pallatin me pajisjet e saj, atëherë është e sigurt se këto aktivitete nuk janë të pajisura me leje mjedisore.

Të parët që duhet të denoncojmë ata që ndotin ambientin e shkaktojnë ndotje mjedisore, duke rritur fitimet mbi kurrizin e shëndetit të banorëve jemi të gjithë ne.

Deri tani, Ministria e Mjedisit nga kontrollet e kryera, ka kapur rreth 4 mijë subjekte në të gjithë vendin të cilët kanë biznes fitimprurës, por nuk marrin asnjë masë për të plotësuar kushtet mjedisore, për të mos shkaktuar ndotje apo për të eliminuar në maksimumin e mundshëm shkatërrimin e ambientit përreth.

Qytetet më problematike me ndotjen, sipas Ministrisë së Mjedisit mbeten Korça, Tirana e Durrësi.

Në këto qytete janë kapur numri më i madh i subjekteve të cilët kanë shkelur rregullat, ushtrojnë aktivitet pa plotësuar kriteret e mbrojtjes së mjedisit dhe duke i shkaktuar ndotje dhe papastërti banorëve të zonës.

Top Channel