Kunati i Bregut, sherr me qytetarin

08/09/2010 20:05

Naim Sela, nga fshati Prezë i Tiranës, akuzon kunatin e ministres së Integrimit Majlinda Bregu se e ka rrahur dhe dhunuar mbrëmjen e së martës në autostradë, për shkak se ka dëshmuar kundra tij në një proces gjyqësor për kthim prone.

Sela thotë se policët që e shoqëronin atë e kanë goditur duke i shkaktuar dëmtime të rënda.

“Një person më mori në telefon dhe më tha që jam në filan vend të Tiranës. Shkoj atje dhe gjej Hektor Ajazin të shoqëruar nga disa badigardë të armatosur. Më sulmuan dhe më rrahën. Kemi një gjyq për pronat. Hektor Ajazi ka mashtruar një bashkëfshatar dhe unë kam dalë në mbrojtje të tij në gjyq”, ka treguar Sela.

Deputeti i Partisë Socialiste, Artan Gaci ka reaguar me një deklaratë, duke u shprehur se policia ende nuk ka marrë denoncimin e shtetasit Naim Sela edhe pse u bë shumë orë që ngjarja ka kaluar. Ai akuzon se shteti e mbron Hektor Ajazin.

“Qytetari Naim Sela është dhunuar nga kunati i ministres dhe badigardët e tij, që sipas të dëmtuarit janë anëtarë të reparteve speciale. Është bërë denoncimi në organet e policisë, të cilat nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim dhe janë munduar ta kalojnë në heshtje”, ka deklaruar Gaci.

Top Channel