Zbulohet marrëveshja kuadër e PS

07/09/2010 20:35

Edhe seanca e parë e Kuvendit duket se nuk ka sheshuar mosmarrëveshjet mes mazhorancës dhe opozitës për zgjidhjen e krizës politike dhe hetimit të zgjedhjeve.

Palët kanë hyrë në një debat lidhur me draftet dhe përgjigjet për draftet e propozimeve, ndërkohë që javën e kaluar socialistët refuzuan propozimet e mazhorancës që vinin pas propozimeve të socialisteve.

Por nëse dokumenti i Partisë Demokratike u bë publik, Top Channel ka zbuluar së fundi se cili është drafti që socialistët i kanë dorëzuar mazhorancës dhe cilat janë propozimet konkrete të saj.

Marrëveshja kuadër është propozuar në fund të korrikut nga Partia Socialiste, por duket se nuk ka marrë miratimin e demokratëve, në përgjigjen përmes Astrit Patozit, të një muaji më vonë, më saktë të enjten e kaluar.

Në dokumetin dërguar demokratëve theksohet se, duke vlerësuar rëndësinë e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe rolin që mund të luajnë gjithë forcat në këtë proces duke vlerësuar rezolutën e Parlamentit Europian të korrikut 2010, gjithashtu faktin se shumë prej reformave integruese duan konsensus dhe në mbështetje të plotë të vendimit të BE për heqjen e vizave është propozuar marrëveshja që ka synuar sipas PS zgjidhjen përfundimtare të krizës mes palëve.

Në draft, vec kërkesës për ngritjen e komisionit hetimor me shumicë dhe kryesimin e opozitës, ka edhe një sërë pikash mbi të cilat sipas selisë rozë do të mbështetet hetimi i zgjedhjeve të vitit 2009.

Selia rozë, përmes dokumentit thekson se hetimi 4 mujor kërkohet jo për efekt të ndryshimit të rezultatit, por për efekt të nxjerrjes së parregullësive të vërejtura në procesin zgjedhor të vitit të shkuar.

Sipas PS, hetimi duhet të përfshinte në objektin e tij cështje të tilla si hetimi i akuzave dhe dyshimeve publike të bazuara, për zbatimin e legjislacionit në lidhje me procesin zgjedhor, hetimin e pretendimeve për parregullësi, për shkelje të ligjit gjatë procesit të numërimit të votave, si dhe vendimmarrjen e KZAZ-ve dhe KQZ në këtë proces.

Hetimin e dyshimeve dhe akuzave në lidhje me shkeljen e kritereve ligjore në caktimin e zonave të qendrave të votimit, si dhe përpilimin e listave të zgjedhësve sipas qendrave të votimit.

Hetimin e kritereve dhe procedurave të ndjekura nga Ministria e Brendshme në fshirjen e dublikimeve të të dhënave bazë të rregjistrit të gjëndjes civile.

Në draft parashikohet edhe hetimi i procedurave për vendosjen e vendndodhjes së qendrave të votimit, kriteret ligjore lidhur me procedurat e aplikimit të prodhimit dhe shpërndarjes së letërnjoftimeve dhe pasaportave biometrike, hetimin e akuzave publike për përdorimin e mjeteve publike, si dhe të administratës publike të cdo niveli, hetimi i akuzave për presione të ushtruara për largim, transferim apo ulje në detyrë të punonjësve në administratë qendrore, lokale apo cdo enti publik për shkaqe që lidhen me fushatën zgjedhore, si dhe hetimin e rasteve të dhënies së lejeve të përkohshme për personat e dënuar.

Përsa i përket pikës kryesore, asaj për hetimin e fletëve të votimit, socialistët kanë hedhur në tryezën e demokratëve disa opsione.

Propozohet që komisioni hetimor të kërkojë brenda 10 ditëve detyrimisht opinionin e Komisionit të Venecias për kushtetueshmërinë e aksesit të dokumentacionit në këto kuti në funksion të hetimit, si dhe metodologjinë dhe gjerësinë e aksesit me qëllim hetimin e mangësive në procesin e numërimit të votave.

Sipas PS, opinioni i Komisionit të Venecias mund të kërkohet në disa variante të parashtruara në dokument. Përmes një kërkese të komisionit hetimor parlamentar për kryetaren e Kuvendit, e cila ia përcjell Komisionit të Venecias, e njëjta kërkesë mund t’i drejtohet presidentit të Republikës, ose sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Europës, duke i kërkuar më pas përcjelljen e kërkesës në Komisionin e Venecias.

Një tjetër variant i propozuar është edhe ai përmes Gjykatës Kushtetuese, duke i kërkuar asaj që brenda 10 ditëve ta kalojë për opinion dhe nëse kjo nuk pranohet, të obligohet Kuvendi i Shqipërisë për t’ia përcjellë brenda 7 ditësh Komisionit të Venecias.

Një opsion tjetër i parashtruar është që palët të vazdojnë të negociojnë për të gjetur zgjidhjen ligjore të përshtatshme konform ligjit lidhur me kutitë e fletëve të votimit.

Sigurisht, në draftin e selisë rozë nuk mungon as pika që detyron KQZ-në të vazhdojë të administrojë dhe të ruajë të gjitha kutitë e votimit deri në përfundimin e vendimmarrjes së Komisionit të Venecias.

Në pikat e tjera kërkohet që KQZ, Ministria e Brendshme, ajo e Drejtësisë, Financave dhe institucionet e tyre të vartësisë të bashkëpunojnë dhe të ofrojnë informacionet e kërkuara nga komisioni hetimor.

Gjithashtu, është propozuar adresimi i përfundimeve të hetimit komisionit të reformës zgjedhore, me qëllim reflektimin e tyre në ndryshimet e ardhshme në Kodin Zgjedhor.

Këtij drafti demokratët i janë përgjigjur kohë më pas duke ofruar pika të cilat nuk gjejnë tashmë mbështetjen e selisë rozë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA