Prokuroria përgënjeshtron Selmanllarin

07/09/2010 19:35

Ka pohuar apo jo biznesmeni Rrahman Selmanllari në prokurori se kompania “Vision Construction” i ka dhënë biznesmenit Dritan Avllaj, i njohur si “Tan lepri”, 20 për qind të aksioneve për të siguruar lejen e ndërtimit pranë bashkisë së Tiranës?

Mediat ofruan informacione të ndryshme pasi Selmanllari doli nga prokuroria. Disa, duke iu referuar prokurorisë, njoftuan se Selmanllari ka pohuar se ka patur vetëm marrëdhënie biznesi me Avllajn.

Ndërsa të tjera, duke iu referuar vetë Selmanllarit, njoftuan se ai u ka thënë prokurorëve se kishte dorëzuar aksionet për të fituar lejen e ndërtimit.

“Deklarojmë se dëshmia e klientit tim për prokurorinë e Tiranës vijon: Zoti Avllaji ka kërkuar 20 për qind të aksioneve në këmbim të studimit të zonës dhe një lejeje të ndërtimit. Kërkesa është bërë pasi Avllaji ishte paraqitur si mik i kryetarit të bashkisë së Tiranës, Edi Rama”, ka deklaruar avokati Genc Gjokutaj.

Por drejtuesi i njësisë task forcë dhe prokurorët që morën në pyetje biznesmenin Selmanllari deklaruan se ai nuk ka deklaruar që ka dhënë aksione, apo rryshfet në këmbim të ndonjë lejeje ndërtimi.

Nëse do ta kishte bërë, për prokurorët e cështjes ai do të merrej i pandehur në bazë të nenit 37 të Kodit të Procedurës Penale, që dënon si atë që merr ashtu edhe atë që jep rryshfet.

“Të detyruar nga ajo që u bë publike sot, në funksion të sqarimit të opinionit publik, jemi të detyruar të themi se ajo deklaratë e bërë publike nuk qëndron dhe është e pavërtetë. Ne jemi të detyruar, që për të mos cënuar sekretin hetimor, të mos bëjmë publik aktin procedurial. Por nëse do jetë e nevojshme, në një moment të dytë, do ta rivlerësojmë dhe mund ta bëjmë publik aktin. Nëse do ishte ndryshe, neni 37 i Kodit të Procedurës Penale thotë, kur para organit procedues një person që nuk është marrë si i pandehur, bën deklarime nga të cilat dalin të dhëna për inkriminimin në ngarkim të tij, autoriteti procedues ndërpret pyetjen, duke e paralajmëruar se pas këtyre deklarimeve mund të zhvillohen hetime ndaj tij dhe e fton të caktojë një mbrojtës. Deklarimet e mëparshme nuk mund të shfrytëzohen kundër personit që i ka bërë”, ka deklaruar grupi i prokurorëve.

Prokuroria nga ana tjetër ka nënvizuar edhe faktin se avokati që paraqitet si mbrojtësi ligjor i Rrahman Selmanllarit, Genc Gjokutaj nuk ka qenë i pranishëm në seancën ku u mor në pyetje Selmanllari për sa kohë ai ishte thirrur në cilësinë e deklaruesit dhe prania e avokatit nuk ishte e nevojshme.

Po kështu prokurorët shtuan se, nëse zoti Selmanllari do të deklarojë vetë në të ardhmen se ka dhënë rryshfet, atëherë ai duhet të përballet edhe me akuzën e dëshmisë se rreme në prokurori.

Top Channel