Pranë heqjes së vizave

02/09/2010 23:10

Sipas raportit paraprak të Komisionit Europian Shqipëria dhe Bosnja janë pranë plotësimit të kritereve teknike të nevojshme për liberalizimin e vizave.(UPDATE)

“Përgjithësisht pozitive janë vlerësimet e misioneve të ekspertëve dhe me të dhënat e deritanishme nga të dy vendet mund të themi se është bërë progres i mirë që prej muajit maj. Të dy vendet janë prane plotësimit të kritereve”, deklaron përfaqësuesja e KE-së, Heike Buss.

Nga 3 kriteret e mbetura për Shqipërinë, misionet e ekspertëve, që vizituan vendin nga data 12 deri në 15 korrik, vlerësojnë se më shumë përpjekje nevojiten ende në zbatimin e kuadrit ligjor për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Më shumë përpjekje janë të dëshirueshme për rritjen e aftësive të kapjes së kriminelëve dhe zgjerimin e vlerësimit mbi rrezikun. Përpjekjet e prokurorisë për të hetuar rastet e korrupsionit janë intensifikuar dhe është rritur numri i tyre nga grupet e përbashkëta hetimore. Më shumë përpjekje duhen bërë për të amenduar legjislacionin, me qëllim që të garantohet se shtrirja e gjërë e imunitetit e gjykatësëve dhe politikanëve nuk do të dëmtojë hetimin efikas të prokurorisë për rastet e korrupsionit”, vazhdon më tej përfaësuesja Buss.

Kapacitetet administrative janë forcuar në këtë drejtim falë trajnimeve si dhe njihet progres përsa i takon kriterit të konfiskimit të aseteve kriminale. Strategjia dhe plani i aksionit për integrimin e të riatdhesuarëve siguron deri në 2015, siç u shpreh zyrtarja e Komisionit, strehimin, edukimin dhe punësimin e personave që i kthehen Shqipërisë. Raporti përfundimtar paraqitet në mes të shtatorit.

Raportuesja Tanja Fajon kërkoi që vendimi për liberalizimin e vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën të trajtohet si çështje urgjente, sikundër u premtua një vit më parë nga Brukseli e siç ndodhi dhe për tre vendet e tjera përfituese të rajonit.

“Qershorin e kaluar kur komisioni u shpreh për 3 vendet e tjera, ne e dinim brenda ditës se kur kjo gjë do të ndodhte,  u lajmërua 1 janari 2010, për fat u përshpejtua para Krishtlindjeve. Sot ende nuk e dimë një datë për Shqipërinë dhe Bosnjën, megjithëse kanë kaluar disa  muaj nga propozimi legjislativ i komisionit e nuk mund të themi se trajtimi është i njëjtë”, u shpreh raportuesja e vizave në PE, Tanja Fajon.

Dy grupet kryesore politike të legjislativit europian u shprehen se do të votojnë pro në seancën plenare të tetorit, në rast se Komisioni shprehet edhe pas dy javësh, në raportin përfundimtar me shkrim, se të dy vendet i kanë përmbushur kriteret.

Ekstremistët u shprehen kundër liberalizimit të vizave duke shpjeguar se regjimi i lirë do t’u mundësonte kriminelëve shqiptarë të vijonin trafikun e tyre në BE. Por përfaqësuesja e Komisionit garantoi se edhe pas marrjes së vendimit për heqjen e vizave, proçesi monitorues ndaj dy vendeve të Ballkanit do të vijojë.

Top Channel