Londër, lirohet Ilir Kumbaro

02/09/2010 15:10

Gjykata e Apelit  në Londër i rikthen lirinë me kusht ish- SHIK-asit Ilir Kumbaro i arrestuar javën e shkuar në bazë të një fletë-arresti ndërkombëtar lëshuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë. (UPDATE)

Gjykatësi Stephen Irwin pasi dëgjoi përfaqësuesen e shtetit shqiptarë dhe avokatin mbrojtës, urdhëroi vendosjen e një pajisje elektronike monitorimi në këmbën e Kumbaros. Kjo pajise e njohur si “Tag” është e lidhur me stacionin e policisë lokale duke lejuar monitorimin e cdo lëvizje të personit që i vendoset në këmbë një e tillë.

Sipas Gjykatësit të Apelit londinez Kumbaro gjithashtu duhet të banojë në adresën tashmë të ditur nga policia. Paraqitja  3 herë në javë në stacionin e policinë të zonës Fulham është një tjetër kusht i vendosur për Ilir Kumbaron.

Gjykata pranoi garancinë pasurore prej 10 mijë stërlinash vendosur nga një grua e cila nga gjykatësi Irwin u identifikua si nga bashkëshortja e djalit të Ilir Kumbaros.

Vetë zoti Kumbaro nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit por u mbrojt nga avokati John Jones i cili tha se klienti i tij falë moshës, disa sëmundjeve dhe qëndrimit prej 15 muajsh në burg gjatë procesit të shkuar duhet të ndjekë procesin e ekstradimit në gjendje të lirë.

Avokati Jones përsëri tha se klienti i tij është Shaqa Shatri për aq kohë sa Ministria e Brendshme Home Office në bazë të këtij emri i ka garantuar azilin dhe nënshtetësinë britanike.Clair Dobin përfaqësuese e shtetit shqiptarë inicuese e apelit, kundërshtoi lirinë me kusht pasi sipas saj tani përballë një fletë-arresti të ri ndërkombetarë rreziku zhdukjes së zotit Kumbaro është më i madh.
 
“Detyra e mbajtur dhe lidhjet me shërbimin sekret shqiptarë, përfshi fshehjen e suksesshme 15 vjecare duke përdorur identitet të rremë gjër për të cilën ai ende këmbengul na bëjmë të besojmë se zoti Kumbaro mund t’i fshihet përsëri drejtësisë” theksoi zonja Dobin.

Seanca e ardhshme e ekstradimit do të zhvillohet më 1 tetor ku në thelb të debateve ligjore do të jetë vendimi i pritshëm gjatë këtij muaji i “Kolegjit të Bashkuar” në Gjykatën e Lartë në Tiranë për vlefshmërinë e mandatit të ri të lëshuar nga gjykata me kërkesë të prokurorisë.
 

Top Channel