Lindje e Mesme, Obama apel palëve

02/09/2010 01:55

Duke i paraprirë bisedimeve direkte mes palestinezëve dhe Izraelit, presidenti amerikan Barak Obama u bëri thirrje palëve në Lindjen e Mesme të shfrytëzojnë rastin e dhënë për të arritur një kompromis, pasi nuk mund t’u jepet sërish një shans i tillë.

“Ne jemi bijtë e prindërve tanë e ndaj duhet t’i drejtojmë pyetjen vetes: Çfarë bote do t’u trashëgojmë fëmijëve, nipërve e mbesave tona?”, tha Obama në deklaratën e tij pas darkës së përbashkët që pati me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu, presidentin palestinez, Mahmud Abas, presidentin egjiptian, Hosni Mubarak dhe mbretin jordanez, Abdullah II.

Nga ana e tij kryeministri izraelit, Netanjahu apeloi për një zgjidhje e cila do t’i jepte fund njëherë e përgjithëmonë konfliktit mes Izraelit dhe palestinezëve në Lindjen e Mesme.

“Ne nuk po kërkojmë paqe të përkohëshme, por një zgjidhje e cila do t’i jepte fund konfliktit njëherë e përgjithmonë, për gjeneratën tonë, gjeneratën e fëmijëve tanë e më tej”, tha Netanjahu.

Bisedimet mes palestinezëve dhe Izraelit do mbahen në një situatë të tensionuar në Lindjen e Mesme, ku nga sulmi i fundit ndaj kolonëve hebrenj në Çisjordani gjetën vdekjen 4 persona, mes të cilëve edhe një grua shtatzënë.

Top Channel