Akuzat PD-PS, prokuroria merr dokumentacionin nga Bashkia e Tiranës

02/09/2010 22:30

Prokuroria ka nisur hetimet në lidhje me akuzat dhe kundërakuzat që kanë përfshirë dy kahet e politikës shqiptare në javët e fundit.

Top Story zbulon se hetuesit e çështjes kanë marrë në dorëzim të gjitha dokumentacionet e nevojshme nga Bashkia e Tiranës për të hetuar mbi akuzat e deputetëve të Partisë Demokratike ndaj kreut të saj, Edi Rama për korrupsion me lejet e ndërtimit. Sipas të dhënavë prokuroria nuk ka gjetur asnjë shkelje në dokumentacionin e marrë.

Ndërkaq, në zyrat e saj, prokuroria ka thërritur të dëshmojnë për këto akuza edhe 5 ortakët e kompanisë së ndërtimit, “Vizion Construction”, të cilët e kanë pranuar të dëshmojnë. Por megjithatë ende asnjë prej tyre nuk është paraqitur në prokurori.

Çështja kryesohet nga prokurori, Ardian Braho, i njohur për goditjet dhe bllokimin e të ardhurave të bizneseve të lidhura me terrorizmin në Shqipëri, e për të cilin vendi ynë mori merita të mëdha edhe në raportin e Departamentit të Shtetit amerikan.

Top Channel