Shpëtoni Sakineh!

01/09/2010 22:50

Rriten përmasat e lëvizjes ndërkombëtare për ndalimin e ekzekutimit me gurë të gruas iraniane, që është dënuar për tradhëti bashkëshortore dhe bashkëpunim në vrasjen e të shoqit.

Gruaja i pohoi akuzat në një televizion me 11 gusht. Por sipas avokatit të saj, rrëfimi ka ardhur pas dy ditësh torturash ndaj saj. Ajo gjatë rrëfimit dënonte edhe mediat perëndimore me një zë të pasigurtë e që dridhej, për ndërhyrjen në jetën e saj private.

Opinioni ndërkombëtar ka reaguar në mbrojtje të të drejtave të shkelura të Sakinesë. Ditën e enjte në Romë do të mbahet një miting para ambasadës iraniane.

“Duhet t’i tregojmë të gjithë komunitetit ndërkombëtar se Italia mban anën e Sakinesë”, kanë bërë të ditur Ministri i Jashtëm, Frattini dhe ajo e Shanseve të Barabarta Carfagna. Përpara ndërtesës së kësaj ministrie është vendosur një foto e Sakinesë, e cila do të qendroje aty derisa ajo të jetë e lirë.

Ndërkohë, sipas mediave të huaja, në Francë çështja e gruas që rrezikon jetën po bëhet një çështje shteti. Presidenti Sarkozi ka marrë personalisht përgjegjësinë për çështjen në fjalë, ndërsa Ministri i Jashtëm Kushner, i ka kërkuar BE-së që të mendojë për sanksione të reja ndaj Iranit.

Zonja e parë Karla Bruni mbajti qendrim zyrtar në mbrojtje të Sakinesë, çka çoi në ofeza dhe kërcënime me vdekje ndaj saj, nga ana e një gazete ultrakonservatore të Teheranit.

Megjithe distancimin e regjimit iranian nga gazeta, për Francën zyrtare artikujt janë të papranueshem, gjë që ka sjellë tensione të reja mes Parisit dhe Teheranit.

Zëdhënësi i Minstrisë së Jashtme franceze, Bernard Valero ka kërkuar lirimin edhe të Ebrahim Hamidit, 18 vjeçarit iranian i dënuar me varje për homoseksualitetin e tij. Edhe për të po mblidhen firma kundra ekzekutimit.

“La Repubblica” bën të ditur se një tjetër jetë që rrezikohet është edhe ajo e gazetares 26 vjeçare, Shiva Nazarahari. Ajo do të proçesohet në 4 shtator, për shkak të disa artikujve që ka shkruar, të cilat nuk i kanë shkuar për shtat regjimit iranian.

Duke iu rikthyer çështjes së Sakinesë, apele në ndihmë të saj kanë ardhur edhe nga Sekretarja e Shtetit amerikan, Hillary Klinton dhe presidenti venezuelan Hugo Çavez, që madje i ka ofruar edhe nënshtetësinë e vendit të tij. Ajo gjendet në burg prej katër vjetësh dhe është në pritje të ekzekutimit.

Top Channel