Aksidentet, 4 viktima dhe 11 të plagosur

31/08/2010 20:25

Katër persona kanë humbur jetën dhe 11 të tjerë janë plagosur gjatë 24 orëve të fundit në vend.

Aksidenti më i rëndë automobilistik është rregjistruar sërish në aksin rrugor Kalimash-Kukës.

Pak para se të kalonte mesnata e së hënës, një automjet në të cilin udhëtonte një familje nga Gjilani ka dalë nga rruga dhe për pasojë kanë mbetur të vdekur nënë e bir, Ganimete dhe Olsi Sadedini, përkatësisht 35 dhe 4 vjec.

Familja Sadedini ishte duke udhëtuar nga Kosova në drejtim të Tiranës, por në afërsi të tunelit të Kalimashit, drejtuesi i mjetit tip fuoristradë, ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga. Mjeti është rrokullisur disa herë.

Drejtuesi i tij dhe e bija kanë mbetur të plagosur rëndë, ndërsa bashkëshortja dhe djali humbën jetën. Policia tha se paraprakisht dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia.

Ndërkohë, në Vlorë një 40 vjecar humbi jetën në një aksident që ndodhi në rrethana ende të dyshimta.

Juri Ramohasanaj, nga fshati Selenicë, ishte duke udhëtuar me një automjet tip fuoristradë, ngjyrë jeshile dhe me targa italiane.

Ai ka tentuar të parakalojë por është përplasur me bordurën e rrugës në segmentin rrugor të zonës Uji i Ftohtë.

Më tej mjeti ka thyer kufizimet metalike të rrugës dhe është përplasur me kangjëllat e hekurta të lokal “Kalaja”, e pas kësaj ka rënë nga rreth 30 metra lartësi, mbi shezlonget e një plazh, ku fatmirësisht nuk ndodhej njeri.

Gjatë rënies, 40 vjecari ka dalë nga automjeti dhe është gjendur fare pranë tij i pajetë. Policia pret përfundimin e ekzspertizës për të përcaktuar shkakun e askidentit.

Ndërkohë që një tjetër aksident ndodhi në orët e mbremjes së të hënës në rrugën Berat-Lushnje. Dy makina janë përplasur dhe për pasojë ka gjetur vdekjen Bektash Sula, 50 vjec, nënkryetar i komunës së Poshnjës, ndërsa i biri Rexhep Sula dhe një i afërm i familjes kanë mbetur të plagosur. Policia ka ndalur Rexhep Sulën për shkelje të rregullave të qarkullimit.

Po në të njëjtin aks rrugor, mëngjesin e së martës shtatë gra janë lënduar pasi automjeti tip furgon me të cilin udhëtonin ka dalë nga rruga. Sipas ekspertëve, mësohet se shkak për këtë aksident ishte lagështira në rrugë.

Top Channel