Vizat, BE e paralajmëron Shqipërinë për azilin

29/08/2010 10:10

Bashkimi Europian i ka vënë kushte të tjera shtesë Shqipërisë në lidhje me liberalizimin e vizave.

Brukseli zyrtar, vendimin për heqjen përfundimtare të vizave tani e ka lënë në dorë të 27 vendeve anëtare dhe do të jenë ministrat e Brendshëm ata që duhet të japin dritën jeshile për këtë çështje. Por, burime diplomatike kanë bërë të ditur se Komisioni Europian po përgatitet në rastin e vendimit pozitiv, duke u referuar te përvoja e hidhur që ndodhi me Malin e Zi, Serbinë dhe Maqedoninë, të cilave iu hoqën vizat vitin e kaluar.

Siç mësohet, zyrtarët e Brukselit i kanë bërë të ditur Tiranës zyrtare se, në rast se me heqjen e vizave do të ketë valë të madhe largimesh masive të qytetarëve shqiptarë drejt shteteve të BE-së dhe do të kërkojnë leje qëndrimi, atëherë përgjegjësinë do të duhet ta mbajë Tirana zyrtare.

Komisioni Europian pritet që në shtator të dërgojë në kryeqytetin shqiptar një delegacion të nivelit të lartë, ku do të bëhet e qartë një platformë e cila do të pasqyrojë të gjitha “nëse”-të për të cilat Europa është e alarmuar dhe i frikësohet një eksodi masiv. Këtë alarm e ka bërë të ditur edhe një zyrtar i lartë i Ministrisë së Jashtme shqiptare, siç është Sekretari i Përgjithshëm, Gazmend Turdiu.

Strategjia e hartuar në Bruksel është e qartë: Nëse vendimi për heqjen e vizave do të jetë pozitiv, atëherë do të ngrihet një grup monitorizues për situatën, i cili do ta ndjekë hap pas hapi dhe do të komunikojë me grupin negociator në Ministrinë e Jashtme Shqiptare për të shkëmbyer informacionet. Politika e Brukselit është e qartë: “penalizime individuale, por dhe kolektive, nëse shqiptarët shkelin afatet strikte të Bashkimit Europian pas liberalizimit të vizave”.

Kryenegociatori i këtij procesi me BE-në, Gazmend Turdiu, deklaroi dje për mediat se përveç përjashtimit 5-vjeçar nga vendet e zonës Shengen, për abuzuesit rrezikohet pezullimi i procesit të liberalizimit për të gjithë vendin. “Nëse do të ketë raste shkeljesh, nëse do të ketë parregullsi, nëse do të ketë vend për përmirësimin, këto do të diskutohen dhe do të merret një vendim i përbashkët se si do të vijohet më tej. Një person, i cili qoftë nga mosdija, qoftë nga papërgjegjshmëria abuzon me këtë dimension të ri, do të ketë ndalimin e hyrjes deri në 5 vjet. Nëse numri i këtyre shkeljeve do të jetë tej disa normave, atëherë ndoshta kjo do t’i penalizojë deri në një farë mase edhe qytetarët e tjerë”, theksoi Turdiu.

Strukturat negociatore të Bashkimit Europian për këtë proces, pas marrjes së vendimit për lirinë e qarkullimit, do të kthehen në struktura monitoruese. Do të jenë pikërisht ato që do të përcaktojnë dhe masat për vendin në rast shkeljesh. Por si duhet të veprojë një qytetar shqiptar pas vjeshtës për të udhëtuar në Europë? “Me një dokument udhëtimi të vlefshëm, pasaporta- në rast se zotërojnë pasaportë biometrike-me fonde të mjaftueshme për të përballuar udhëtimin dhe me një sigurim shëndetësor që mbulon periudhën e udhëtimit, atëherë këta njerëz mund të marrin një mjet udhëtimi, të paraqiten para oficerit të udhëtimit në zonën Shengen dhe nëse pyeten, t’i tregojnë qëllimin e udhëtimit dhe të lejohen të hyjnë brenda”, tha Turdiu. Komisioni Europian do të përgatisë raportin përfundimtar për vizat me Shqipërinë, që do t’ia paraqesë Parlamentit dhe Këshillit të Ministrave. Vetëm pas ratifikimit në këto 2 institucione të këtij dokumenti, do të nisë lëvizja e lirë e shqiptarëve.

Top Channel