Për herë të parë, histori arti për gjimnazet

28/08/2010 08:35

Përveç teksteve shkollore të parashikuara si zakonisht në kurrikulën bazë të programeve mësimore, këtë vit do të shtohet edhe lënda e artit.

Ky tekst, sipas këshilltarit të ministrit të Arsimit, Jovan Kristiqi, do të jetë e ndarë në 4 lloje zhanresh, ku do të përfshihet kërcimi, vallëzimi, muzika dhe arti figurativ. Kjo është lënda më e re e përfshirë së fundmi në programet mësimore të tri viteve të shkollës së mesme.

Duke marrë parasysh ngarkesën e nxënësve nga lëndët bazë, MASH-i ka propozuar që kurrikulës së vitit 2010-2011 t’i bashkëngjitet edhe një lëndë e karakterit artistik, që synon jo vetëm zgjerimin e njohurive të tyre në këto fusha specifike, por edhe argëtimin e secilit. “Duke marrë parasysh secilin lloj zhanri, ne menduam se rëndësia e zhvillimit të kësaj lënde të qëndrojë sidomos tek aktiviteti fizik i çdo nxënësi.

Kjo praktikë do të funksionojë vetëm në shkollat e qyteteve të mëdha, ndërsa në gjimnazet që ndodhen në zonat e thella të Shqipërisë, menduam që për shkak të stafit të vogël të mësuesve, kjo lëndë të jetë e shkruar në 4 tekste të ndara sipas zhanrit”, tha Jovan Kristiqi, këshilltar i ministrit të Arsimit dhe Shkencës.

Sipas tij, për këto shkolla do të vihet në dispozicion lënda histori arti, ku nxënësit do të kenë mundësi të marrin njohuri mbi artin shqiptar, modern ose europian. Secili tekst do të jetë i konceptuar si literaturë më vete. Kjo lëndë do të zhvillohet vetëm një orë në javë dhe si rregull nxënësi është i detyruar që në bazë të preferencës apo të talentit të tij të përzgjedhë vetëm njërën prej tyre.

Top Channel